Një punonjës policie është arrestuar sot në flagrancë nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë.

Inspektori Saimir Halilaj 50 vjeç, me detyrë Trupë Operacionale në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë dyshohet se ka kryer veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje.”

Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetasve A.LL. dhe R.LL., si dhe të dhënave dhe fakteve të administruara nga kryerja e hetimeve paraprake.

Konkretisht, në orët e vona të mbrëmjes së datës 26.08.2021, punonjësi i policisë Saimir Halilaj (jashtë detyre) është përfshirë në një konflikt fizik me kallëzuesit dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme, për shkak të intimidimit me anë të uniformës së Policisë, ai i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme shtetasit A.LL., 53 vjeç, si dhe frakturë në krah, shtetasit R.LL., 15 vjeç,” informon SHÇBA.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.