Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një klinikë private në Durrës, ku një 54-vjeçare ka humbur jetën pak orë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Viktima është Valbona Xhazejno, banuese në qytetin bregdetar, e cila i është nënshtruar një operacioni për ngushtimin e stomakut në klinikën “Villa Alba” në Durrës.

Operacioni është kryer nga mjeku kirurg me inicialet I.SH , njëherësh edhe pronar i klinikës. Sipas burimeve, gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar menjëherë pas ndërhyrjes, duke çuar në vdekjen e saj brenda disa orëve.

Familjarët e viktimës kanë akuzuar mjekun për neglizhencë mjekësore dhe kanë bërë kallëzim pranë Policisë së Durrësit. Si pasojë, Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka proceduar penalisht mjekun Ilir Shani në gjendje të lirë për veprën penale “neglizhencë në trajtimin mjekësor”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, neglizhenca që çon në vdekjen e një personi parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet. Hetimet janë ende në vijim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Valbona Xhazejno është përcjellë sot mesditë për në banesën e fundit nga familjarë, të afërm dhe të njohur, të cilët kanë kërkuar drejtësi për humbjen e parakohshme të saj.