Identifikohet viktima e aksidentit të ndodhur mesnatën e të shtunës në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë.

Ai është Taulant Veliu, i cili po udhëtonte me biçikletë kur u përplas për vdekje nga një makinë “Benz”, në afërsi të urës mbi Shkumbin.

Veliu, 37 vjeç, është banor i fshatit Grabjan, njësia administrative Grabjan, bashkia Divjakë!

Policia e Lushnjës ndau edhe detaje nga hetimet e para për ngjarjen, teksa njoftoi se ka shoqëruar edhe drejtuesin e makinës, B.M., 41 vjeç.

Për fat të keq, Policia sqaron se viktima është goditur edhe nga mjeti i dytë me drejtues F.M., 39 vjeç, që vinte pas mjetit të parë.

Njoftimi i Policisë:

“Më datë 20.06.2026, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Lushnjë–Tiranë”, shtetasi T. V., 37 vjeç, duke udhëtuar me biçikletë, dyshohet se është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.

Si pasojë e aksidentit rrugor, shtetasi T. V. ka humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat dy drejtuesit e automjeteve, për kryerjen e veprimeve procedurale të nevojshme, të cilët, në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit”.