5 dhjetor 2015 – Stefi Prifti u tërhoq nga pjesëmarrja në “Kënga Magjike” për t’i qëndruar pranë bashkëshortes Marina, pas shfaqjes së sëmundjes në mënyrë të papritur tre muaj më parë. Por, tragjedia trokiti shumë shpejt në familjen e tyre. Fatkeqësisht Marina ndërroi jetë.
Në një intervistë për “Shekullin”, Endri Prifti rrëfen momentet e vështira, ndarjen nga jeta të bashkëshortes së vëllait dhe performancën në skenë, vetëm, pa gjysmën e tij.
“Ne e filluam bashkë këngën, por Stefit i duhesh të shkëputej nga ky kompeticion për arsye se duhet t’i qëndronte pranë bashkëshortes të tij, që u nda nga jeta para katër ditësh. Ne dimë të japim atë që duhet, më të mirën edhe kur rrallë herë ndihemi vetëm. Patjetër që mungon gjysma ime, por publiku jonë na do dhe na dashuron sido që të jemi, sepse janë të sigurt që ne japim gjithmonë më të mirën”, thotë Endri.
“Ndarja e bashkëshortes së vëllait tim patjetër që do prekë publikun, dhe kujtdo që t’i ndodhë kjo tragjedi gjithkush do preket, sepse rrallë herë ikin njerëz kaq të mirë, kaq të rinj. Kjo sëmundje iu shfaq para tre muajsh dhe nuk e shpëtuam dot bashkëshorten shembullore dhe nënën e dy vajzave, Marias dhe Joanës. Zoti e prehtë në paqe!”, tregon Endri Prifti.
/portali DurresLajm/





