Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të enjten se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza, përbën një kërcënim të madh për paqen botërore. Duke folur në televizionin indonezian Narasi, Erdogan iu drejtua planit të Trump për të larguar më shumë se 2 milionë palestinezë nga Rripi i Gazës, për të kërkuar kontrollin e SHBA-së mbi të dhe për ta kthyer atë në Rivierën e Lindjes së Mesme.
“Unë e shoh vendimin e Trump për të bërë një marrëveshje të tillë me një vrasës si (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu dhe kërcënimet e tij, si një kërcënim të madh për paqen botërore. Për momentin, askush nuk mund ta largojë Gazën nga palestinezët, nga Gazanët. Guximi për të bërë diçka të tillë është, së pari, një kërcënim shumë i ndryshëm për paqen botërore,” tha Erdogan.
Gjithashtu Erdogan tha se nuk i konsideron të sakta deklaratat e Trump, që përbëjnë atë që ai e quajti sfida për shumë vende në botë.
“Shpresa ime është që gabime të tilla të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur dhe që një gjigant global si Shtetet e Bashkuara të kthehet shpejt nga këto gabime,në mënyrë që paqja globale të gjejë një mënyrë për të dalë”, tha ai.
Bota arabe ka shprehur zemërim dhe fuqitë evropiane shqetësim të thellë për propozimin e Trump, që palestinezët duhet të zhvendosen nga Gaza përgjithmonë për të lejuar që ajo të zhvillohet si një pronë turistike bregdetare nën kontrollin e SHBA.