Ergys Agasi del sot përpara Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, të vendosur ndaj tij në mungesë.

Në këtë fazë, mbajtja në fuqi e masës nuk do të ishte e papritur. Masa është vendosur më herët nga gjykata, pasi Agasi ka qenë person i shpallur në kërkim dhe sot gjykata do të vlerësojë kushtet për vazhdimin e saj.

Por vendimi i sotëm nuk është përfundimtar për mënyrën se si Agasi do të qëndrojë gjatë gjithë procesit. Masat e sigurisë mund të kundërshtohen, rivlerësohen dhe ndryshojnë në vijim, në varësi të rrethanave dhe ecurisë së çështjes. Dhe, mbi të gjitha, sot nuk vendoset fajësia.

Dy ditë më parë, Agasi u vu në pranga gjatë një operacioni të koordinuar nga SPAK-u dhe Forcat e Posaçme Operacionale.

Automjeti i tij, që drejtohej nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku, u pikas në Elbasan dhe u ndoq nga autoritetet derisa u rrethua në një zonë me trafik në Plepa. Gjatë kontrollit, dy të arrestuarve u gjetën me vete 4 mijë euro cash.

Agasi dyshohet se në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar më parë në Francë, kishte ngritur një grup të strukturuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas hetimeve, grupi paracaktonte tenderat miliona eurosh në favor të kompanive të Beqirit, ndërsa Agasi dyshohet se urdhëronte deri në rrëmbimin e rivalëve në biznes për t’i detyruar të tërhiqeshin nga garat publike.

Ndaj Agasit rëndojnë akuzat për grup kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.