7nentor 2015 – Ceremonia e çmimit “Mjeshtër i Madh” akorduar nga presidenti, Muharrem Hoxhës shërbeu edhe si një takim i aktorëve kolosë të skenës, që vit pa viti dolën në pension, ndërsa i fundit i një brezi të ndritur ishte Rrema.

Tek aktorët simbol të estradës e të teatrit të Durrësit, ata të cilët në kohët më errëta, kishin bërë masën e madhe të popullit, të harronte hallet e përditshme, por njëkohësisht kishin vënë në lojë, të gjitha veset e shoqërisë, të drejtuesve e të politikanëve, nëpërmjet lojës së fjalës dhe humorit, sot ka mjaft rebelim, mjaft dhimbje.

Estrada që i mblidhte është shkrirë, ndërsa në skenë mungojnë ata që dikur ishin idhujt e humorit shqiptar. Estradat janë shkrirë thuajse në të gjitha rrethet, ndërsa në Durrës Rrema ishte i fundit që e mbante në këmbë këtë institucion të humorit, deri dy ditë më parë kur mbushi dhe moshën e daljes në pension.

Regjisori Haxhi Rama thotë se me daljen e Rremës në pension nuk ka më aktorë, dhe cikli i Estradës konsiderohet i mbyllur.  “Estrada vetë është një art kolektiv dhe na bëhet qejfi që u nderua Muharremi. Kjo trupë ka kolosët e saj: Spiro Strati, Fadil Hasa, Aishe Stari, Ramazan Njalën e shumë e shumë të tjerë. Por dalja në pension e Rremës e mbyll përfundimisht estradën, sepse trupa profesioniste nuk ka më aktorë.  Estrada është shumë e preferuar nga publiku, por ka mbetur vetëm të shikojmë në televizor humor”, thotë Rama.

Më e ashpër tregohet aktorja Aishe Stari e cila sjell kujtime të paharrueshme nga aktiviteti i gjatë i estradës së qytetit. “Me çfarë të drejtë e mbyllën Estradën? Kush vendosi në emër të publikut të mbyllej kjo gjini? Më vjen keq se kalova një jetë me këtë trupë. Me ardhjen e demokracisë ne prisnim të lulëzonte kjo gjini, sepse do të shkruhej pa censurë, por ndodhi krejtësisht e kundërta.

Me çfarë të drejte e kanë mbyllur dhe e kanë privuar aktorin durrsak nga gjinia e humorit, të cilin e pëlqente aq shumë? Ne kemi dhënë nga 300 shfaqje në vit dhe nuk kishte bileta për të ndjekur estradën”. Ngre pyetjet aktorja Stari.

Rreth një vit më parë doli në pension dhe Rolanc Koca, i cili me Rremën ishin kryesisht në role të përbashkëta. “Çmimi i Rremës na ka bërë të gjithëve krenarë” thotë Koca.

Për të fundmin e “mohikanëve” të estradës e të humorit, Rremën, jeta edhe pas daljes në pension, është skena. Ai luajti mbrëmë disa role në skenë përkrah Zyliha Milotit, Xhelal Tafajit, Sanie Hotit, etj, duke bërë që publiku të duartrokasë gjatë, duke e ditur që kjo skenë i mbledh për herë të fundit…

/K.H. portali DurrësLajm/