Kampionati Europian Shqipëri U-17 ka startuar më 19 maj me ndeshjen hapëse Shqipëri-Portugali, të luajtur në stadiumin “Arena Kombëtare”, sfidë që përfundoi me rezultatin 0-4 në favor të portugezëve.

Kombëtarja kuqezi luajti sot në “Elbasan Arena” ndeshjen e dytë për grupin A, përballë Gjermanisë, të cilën e humbi po me rezultatin 0-4. Golat për gjermanët u shënuan nga Jeremiah Mensah, Alexander Staff, Wisdom Mike dhe Keziah Oteng-Mensah.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi takimin me këtë formacion titullar: Raffaele Huli (C), Fabian Hallidri, Fabjano Nuhaj, Leon Sylejmani, Kris Gecaj, Evagjelos Gjoka, Andreas Llana, Alex Ramku, Rikardo Sheji, Gabriel Kulla dhe Arman Durmisi.

Gjermania kaloi në avantazh që në minutën e 7-të me golin e Mensah. Shqipëria reagoi menjëherë dhe në minutën e 14-të ishte shumë pranë barazimit, por Kulla dhe Sheji u ndalën nga portieri gjerman, që ishte vendimtar në këtë aksion.

Në minutën e 20-të, “panzerat” realizuan golin e dytë me Staff dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të tyre. Në pjesën e dytë, Gjermania shënoi edhe golin e tretë me Mike në minutën e 65-të.

“Panzerat” fituan një penallti në të 85-ën, që u shndërrua në gol nga Keziah Oteng-Mensah, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.

Për grupin A po sot ndeshen Portugalia dhe Franca që shënuan fitore në ndeshjet e para. Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të grupit ndaj Francës, më 25 maj, në “Elbasan Arena”, në orën 20:30.