BRUKSEL– Në një analizë të botuar në agjencinë e lajmeve “Public Service Europe”, të titulluar “A do ta lërë Shqipëria perspektivën e saj drejt Europës të rrëshqasë?”, eurodeputetja hollandeze Marije Cornelissen ironizon deputetët shqiptarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, të cilët anuluan mbledhjen e radhës së kësaj strukture, që do të mbahej më 20 dhjetor në Shqipëri.

“Mbledhja e Komitetit në Tiranë u anulua në momentin e fundit. Kreut shqiptar të këtij delegacioni iu desh të anulonte këtë mbledhje për shkak se asnjë nga deputetët shqiptarë nuk kishte interes të ishte aty, mbase ata mezi po prisnin pushimet  e fundvitit. Por nëse unë do isha një deputete e parlamentit shqiptar dhe do të kisha dëshirë që procesi i integrimit të vijonte, do të bëja ç’është e mundur për të qenë në këtë mbledhje”, thotë eurodeputetja.

Ajo ironizon duke thënë që pas pushimeve shpreson që deputetët shqiptarë të jenë sa më të çlodhur dhe të gatshëm për të filluar përpjekjet drejt integrimit europian.

“Por dyshoj se kjo do të ndodhë. Ajo që kam frikë lidhet me zellin e madh që politika shqiptare po tregon për fushatën parlamentare për zgjedhjet e ardhshme, e cila mund të konsiderohet si e nisur. Kjo fushatë duket se nuk do t’ju lërë shumë ndjeshmëri politikanëve shqiptarë të paktën derisa zgjedhjet të përfundojnë,” shprehet Marije Cornelissen.

Sipas saj, gjendja e acaruar politike e ka lënë “në vendnumëro” Shqipërinë. Ajo shton se me deklaratat nacionaliste vendi ynë nuk plotëson as kushtin për bashkëpunimin rajonal.

“Berisha është një politikan që ka përvojë dhe e di me saktësi se cili do të jetë efekti i deklaratave të tij për çështjen  e nacionalizmit. Kështu që për bashkëpunimin rajonal Shqipëria nuk ka pikë shtesë,” deklaron ajo.

                                                           Marrë nga SHEKULLI ONLINE