Marrëveshje mes MTKRS-së dhe Federatës Europiane të Peshëngritjes

Standardi është rritur edhe për vendin tonë të vogël dhe aspak të pasur. Britmat e peshëngritësve do të ushtojnë, ndërsa Shqipëria do të presë, tashmë edhe zyrtarisht, Kampionatin Europian të këtij sporti në vitin 2014. Kontrata mes palëve u lidh në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) nga ana e titullarit Aldo Bumçi dhe presidentit të Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio D’Urso.

D’Urso e quan një ngjarje të madhe në nivel botëror. “Është vërtet një faqe e rëndësishme historike për Shqipërinë dhe Federatën Euriopiane të Peshëngritjes. Do të jetë sukses i madh, sepse për 26 orë do të jemi në transmetim direkt në të gjithë botën me përkthim në 24 gjuhë dhe rreth 55 milionë telespektatorë. Kjo do të thotë besueshmëri e lartë për sportin tonë dhe për Shqipërinë”. Pas Europianit të të rinjve të vitit 2008 në Durrës, shqiptarët do të ngjiten një shkallë më lart. Një detyrë jo e lehtë për Federatën me president Elez Gjozajn dhe për shtetin shqiptar, veçse gjithashtu një rast për të treguar se dimë të jemi në lartësinë e duhur.