Mirdita u përball këtë të premte me një situatë të vështirë nga zjarret, të cilat u shfaqën rreth mesditës dhe u përhapën me shpejtësi në një perimetër të gjerë. Flakët rrezikuan fshatrat Tenë, Kodër Rrëshen dhe Malaj, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa familje nga zonat e rrezikuara.
Për shuarjen e zjarreve u angazhuan forcat zjarrfikëse, ushtria dhe struktura të tjera operacionale, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja u krye edhe nga ajri me dy helikopterë.
Pas disa orësh pune intensive, situata u vu nën kontroll, ndërsa banesat u mbrojtën nga flakët. Megjithatë, zjarri nuk është shuar plotësisht dhe disa vatra vijojnë të jenë aktive, duke bërë që forcat në terren të qëndrojnë në gatishmëri.
Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, dhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, janë shprehur se dyshohet që zjarret të jenë të qëllimshme.
Për të parë nga afër operacionin e ndërhyrjes në Mirditë, në zonat e prekura ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ai deklaroi se, falë angazhimit të strukturave vendore dhe qendrore, është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe shmangia e një situate edhe më të rëndë.
“Në fshatin Tenë në Mirditë kishte një situatë shumë të vështirë para 2 orësh, konkretisht, me shpërthimin e një vatre zjarri që ishte shumë agresive. Menjëherë kanë ardhur forcat nga bashkia, nga zjarrfikësit vendorë dhe është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Kemi bërë të mundur që 2 helikopterë nga Forca Ajrore të vinin për të ndërhyrë, pasi, për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja nga toka ishte shumë e vështirë. Siç edhe ju e shikoni, duket që situata është nën kontroll. Është situatë e vështirë. Na vjen keq që përballemi me këtë situatë, pasi në Mirditë dëgjojmë që përhapen çdo ditë nga 2-3 vatra zjarri. Është jashtë logjikës njerëzore, por kjo është punë e Policisë pastaj që të identifikojë shkaqet e këtyre zjarreve”, tha ministri Nufi.





