Triumfi i Messit për herë të shtatë në karrierë në garën për “Topin e Artë” ka nxitur shumë diskutime. Janë të shumtë ata që mendojnë se ky çmim individual duhej të shkonte për Lewandowskin. Mes tyre është edhe ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Machester United, Patrice Evra, i cili nëpërmjet një videoje të postuar në Instagram ka shfaqur gjithë zhgënjimin e tij për vendimet e “France Football”. Sepse, sipas francezit, çmimi “Yashin”, i fituar nga Donnarumma, duhej t’i shkonte portierit të Chelseat, Edouard Mendy.

“Më vjen shumë keq për Lewandowskin. Njerëzit e “France Football” duhej të shpiknin një trofe për të, sepse ndiheshin fajtorë. Ata e dinë se ky është korrupsion. Njerëzit duhet të hapin sytë. Nuk jam unë personi që mund të thotë se kush e meriton një çmim dhe kush jo. Por të gjithë shkruajnë: vjedhje, vjedhje, vjedhje. Njerëzit nuk janë dakord për këtë çmim. Jam i sigurt se, nëse do të bëj një sondazh se kush duhej ta kishte fituar “Topin e Artë” mes Messit dhe Lewandowskit, do ta fitonte Lewandowski. Cili është interesi për futbollin? Tifozët. Duhet t’i dëgjoni dhe t’u jepni disa shpjegime”.Ish-mbrojtësi francez, më pas, mundohet të shpjegojë se fjalët e tij nuk kanë të bëjnë me “urrejtjen” ndaj Messit.

“Më thonë se kam humbur tri finale të Ligës së Kampionëve kundër tij, prandaj e urrej atë, por nuk është kështu. Xavi dhe Iniesta do ta kishin merituar Topin e Artë, por iu dha Messit. Njerëzit mund të thonë: “Cristiano është miku yt, prandaj e urren Messin”. Messi ka pasur një sezon të mrekullueshëm. Por Lewandowski ka qenë më i miri këtë vit dhe vitin e kaluar. Kemi nevojë për një shpjegim nga “France Football”. Pse nuk e fitoi Mendy çmimin e portierit më të mirë? Sepse është afrikan. Afrika ka pasur gjithmonë një vëmendje të vogël, por për fat të mirë gjërat po ndryshojnë”.