Një dekoratë e vonuar e Presidentit Topi u bë sebep që “klanorët” shqiptarë të nxjerrin në pah një mosmirënjohje që nuk mund të karakterizojë gjithë shqiptarët. Vendet mike si SHBA, Italia, Turqia apo Gjermania do të mbeten përherë të tilla në kujtesën e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi që patën pranë njerëz të mirë në ditë të këqija
Nuk di pse u gjenda në portalet e uebsajteve italianë që shkruanin për eksodin e marsit 91, për atë të gushtit 97. Ndoshta sepse kujtimet apo dekorata që Presidenti Bamir Topi, dekoratë mirënjohje, i dha qytetit dhe popullit të Barit për pritjen që i bënë popullit refugjat shqiptar në atë kohë më çoi në atë kohë që unë me keqardhje e quaj: “ Unë isha”!
Këto ditë dëgjoj në shumë kanale televizive kritika për këtë dekoratë. Rutinë gazetarësh apo luftë klanesh politike brenda PD dhe pasqyrim i saj në mediat e shkruara dhe të shikuara pro kësaj partie në pushtet!?
Nuk jam pjesë e “klaneve”, nuk mund veçse ta imagjinoj si çdo kush tjetër që ndjek lajmet në Shqipëri që, pas këtyre kronikave denigruese fshihet qëllimi për politizimin e tejskajshëm që i bëhet çdo gjëje të mirë. Lufta e egër brenda llojit po fshin edhe vlerat më të rëndësishme humane dhe ka kapërcyer edhe kufijtë duke mbërritur përtej detit. Duke tentuar të implikojë edhe shtetin fqinjë, Italinë, që na është gjendur pranë në momentet më të vështira.
Nuk dua të gjykoj nëse është më i mirë Berisha, Topi, Basha apo Topalli. Nuk më intereson. Më revolton fakti se një dekoratë e vonuar e Presidentit ka bërë që në disa kazane të ndryshkur të gatuhet çorba më e keqe, ajo e mosmirënjohjes. Atë dekoratë nuk e meriton vetëm Bari, por mbarë Italia për mënyrën se si priti qindra mijëra qytetarë shqiptarë. Emigrantë që edhe sot e kësaj dite jetojnë si njerëz të qytetëruar në një vend të qytetëruar, punojnë, shkollojnë fëmijët, ngrenë biznese dhe ndërtojnë të ardhmen. Dua t’u kujtoj gjithë bashkëkombasve të mi se Italia është vendi ku nuk është turp për një fëmijë shqiptar të mbajë flamurin kombëtar dhe nuk vriten njerëz për ngjyrat kuqezi, nuk ka njeri turp të flasë shqip në rrugë e kudo dhe nuk persekutohen nga frika e fshesave qeveritare. Jo vetëm kaq. Në institucionet shkollore italiane ka filluar edhe të flitet shqip, në sajë të orëve mësimore të posaçme që financohen nga shteti italian dhe ku po punësohen mësues të gjuhës shqipe. Ndërsa në disa qytete të Italisë ka katedra universitare të gjuhës shqipe apo albanologjisë. Fakti që gjuha shqipe ka 500 vjet që flitet ende në fshatrat arvanitase është dëshmi e një dashamirësie shekullore të vendit fqinjë që vetëm mosmirënjohësit nuk mund të mos ta vënë re.
Por le t’i lemë mënjanë për një moment “grindjet e perëndive” e le të kujtojmë atë mars të 91’.
Do të përpiqem ta risjell ashtu siç e pashë unë, marinari, nga kalata “treso” (emri i një kalate në portin e Durrësit) ku isha me shërbim 24 orësh në anijen “Kap. Haxhi Shehu”, më pas nga ballkoni i shtëpisë së njerëzve të mi në hyrje të Durrësit e më pas nga kronikat televizive të stacioneve italiane.
Një natë më parë në portin e Durrësit policia kishte filluar të kontrollonte çdo skutë me qen pastorë gjerman dhe kontrollohej çdo gjë. Ishte si një gjendje shtetrrethimi e parë vetëm nëpër filmat e Luftës së Dytë Botërore. Anija e vogël ku punoj ishte ngarkuar me shporta(kaçile kashte) për në Ravena të Italisë dhe në prisnim vetëm urdhrin për nisje që bashkërendohej me agjencitë italiane me të cilat bashkëpunonte shteti si i vetmi pronar i anijeve në atë kohë.
Të nesërmen ndërsa isha pushim turni dhe ndodhesha për vizitë familjare në një farefis në hyrje të Durrësit shoh “katrahurë”. Nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dyndeshin në portin “ e hapur” të Durrësit, njerëz nga të gjitha kategoritë, njerëz me dhe pa ID deri para pak orësh. Deri edhe burgjet ishin “hapur”.
Shteti shqiptar nuk funksiononte, ajo diktaturë, siç u quajt dhe quhet edhe sot, më e forta në të gjithë Europën lindore, ishte shndërruar në një hiç, në zero. Nuk mund të them me “leje” apo dëshirë por ishim të gjithë para një fakti. Anijet shqiptare , të gjitha pa përjashtim po mbusheshin me njerëz që dëshironin të iknin nga ai ferr ku jetonin dhe “komandën” e kishin të fortët e rrugës…
Anijet e para që hoqën cimat (litarët që lidhin anijet në mol- kalatë) ishin pikërisht të voglat, 500 tonëshet ndërtuar në kantierin detar Durrës, ndër to edhe anija ku unë punoja. Kapaciteti mbajtës i tyre ishte i vogël dhe sapo mbusheshin, “ të fortët” jepnin urdhër të niseshin. Në disa komandonin miq e të afërm, dhe mekanikët e drejtuesit e anijeve ishin marrë nga shtëpia për këtë qellim. Anijet si “Tirana” dhe “Vlora” që ishin me kapacitet jashtëzakonisht të madh lëvizën të fundit. Simboli i eksodit mbeti anija “Vlora” e cila u tejmbush me rreth 20 mijë vetë, sipas statistikave që lexuam në shtypin italian.
Shikoheshin edhe me sy të lirë njerëz që vareshin në telat me gjemba të rrethimit të portit, që vareshin në cimat e anijeve për të hipur lart, njerëz që arrinin anijen e sapo nisur me not, me qindra hidheshin në ujë për të kapur “lirinë” brenda në port e disa prej tyre mbeteshin aty pa e arritur atë…
Ajo ditë e paharruar për këdo që ishte aty si shikues apo protagonist u mbyll shumë vonë pasdite kur në port s’kishte mbetur më asnjë anije. E fundit doli anija e madhe trans atlantike Tirana. Ai gjigand u mbush si një kuti sardelesh me shqiptarë që ndoshta kurrë s’kishin lexuar filozofinë por që praktikisht e dinin që “ QËLLIMI JUSTIFIKON MJETIN”…
Dora dorës shikonin arritjen e anijeve në portin e Barit, Brindisit e të tjerë.
Qeveria italiane ishte në panik, shtypi i ndiqte me helikopterë që në ujërat territoriale shqiptare, emergjenca ishte e pa parashikueshme edhe për një shtet të madh si Italia që ka edhe institucione të posaçme për fatkeqësi natyrore, por jo të këtij lloj deri në atë kohë.
Por magjia popull ndërhyri.
Shikonim në ekranet e televizorëve njerëz të thjeshtë që dërgonin ndihma, që futeshin mes turmave që s’dinin as të komunikonin në italisht e ndanin me ta atë që kishin, bukën e familjeve të tyre. Duke ditur personalisht që ai rajon i Italisë, Puglia, nuk është i pasur si Lombardia, Emiglia Romagna apo Piemonte e duke ditur që më parë, që vetë familjet aty kalonin vështirësi ekonomike jo të pa konsiderueshme, kur shihja atë solidaritet njerëzor më ngjethej mishi (madje edhe tani që shkruaj), tek shihja anijet e vogla portuale që merrnin të parat gra me fëmijë e deri edhe fëmijë të vegjël të pa shoqëruar nga asnjë e i jepnin ujë të pinin se ishin gati duke vdekur nga etja. Çdo njeri me pak ndjenjë humane në shpirt në atë moment emocionohesh, deri edhe vetë ultra racistët italianë në atë moment heshtën apo mbase në një mënyrë apo në një tjetër ndihmuan atë popull turmë që s’dinte asgjë tjetër përveçse të prekte tokën mikpritëse italiane.
Shifrat ishin marramendëse.
Faktet e atyre viteve janë të shumta dhe cilido mund t’i shohë e t’i dëgjojë edhe të regjistruara në uebsajte të ndryshme apo në youtube. Dëshmitë janë tronditëse e rrënqethëse. Para se të shkruaja këto rreshta dëgjova kapitenin Halim Milaqi, kapitenin e anijes Vlora që transportoi drejt Italisë 20 mijë e më shumë njerëz. Në adresën e internetit http://www.youtube.com/watch?v=hO4eGiLmnh4&feature=player_embedded gjendet dëshmia e tij. Dëgjojeni, shikojeni e do më jepni të drejtë. Si këto ka me qindra. Mjaft të shkruani eksodi shqiptar e në çdo motor kërkimi në internet do të gjeni material që nuk mjaftojnë një palë sy për të qarë, nuk mjafton “një harresë” për të mos kujtuar, Harresa është një “frut” i keq që çon drejt ripërsëritjes…
Më pas rikujtoj ndihmat e qeverise dhe popullit Italian për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Filloi operacioni “Pelikan”, për të cilin mendoj se në bashkëpunim me redaksinë e kësaj gazete dhe drejtuesit e bashkëpunëtoret e “Pelikanit” në Durrës, mund dhe duhet të shkruajmë diçka më shumë në numrat e ardhshëm.
Qeveria italiane e dinte që po të lihej ky vend në mëshirën e fatit, ky vend vetëm 150 km larg brigjeve, të gjithë në skamje dhe pa të ardhme do të suleshin drejt Italisë edhe ai më i pamunduri.
Ata e dinin ose e imagjinonin shprehjen e atyre viteve që,- po të ngrijë deti të gjithë shqiptarët do të shkojnë në Itali.
Po pse në Itali? Edhe Greqia ishte “ e kapshme” për shqiptarët e me më pak rrezik sepse ishte kufi tokësor.
Sipas statistikave të kohës që rrjedhin edhe sot në skedarët e informacionit nga 1989 deri më sot mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria e 450 mijë prej tyre drejt Greqisë por nuk mund të mos harrojmë që shumë prej tyre mbetën në kufirin midis dy vendeve, shumë prej tyre u vranë nga rojet kufitare shqiptare, ngjarje të cilat nuk u zbardhën kurrë as për humanizëm drejt familjeve të të humburve si N.Stari (mik i familjes time) e mijëra te tjerë, por edhe shumë, po shumë të vrarë nga rojet e kufirit grek. Edhe kjo nuk wshtw marrë kurrë në konsideratë nga asnjë forcë politike që ka drejtuar shtetin shqiptar deri më sot.
Normalisht shqiptarët para se të drejtoheshin për në Itali, mendoj, duhej të drejtoheshin për në Greqi, një e treta e Greqisë flet shqip, dihet që historikisht jemi një racë, e dinë mirë populli edhe kur e mohojnë politikanët apo shtresa të caktuara të gjeopolitikës për interesa të caktuara “lobiste” .
Por në vitet e para të “hapjes” 90-91, në tokën Greke, “aventurat e Alaskianëve” shqiptarë dogjën “të thatin bashkë me të njomin”, politika e Vorio Epirit e qarqeve të caktuara shoviniste të “fryra” edhe nga ligji absurd i luftës që rrinte në fuqi në Greqi ndërmjet dy vendeve, politika mohuese dhe denigruese ndaj çamëve dhe Çamërisë e shumë e shumë të tjera bënë që shqiptarët të “dyndeshin” më pak në Greqi, jo se mungoi ndihma e popullit grek që strehoi me qindra e mijëra, jo pak por flitet për 400 mijë refugjatë emigrantë, duke “mos parë e dëgjuar” zërat e shoqatës Omonia apo të shovinistëve të tjerë që guxuan të hyjnë deri brenda territorit shqiptar e të kryejnë masakra si ajo e Peshkëpisë që nuk u “zbulua” kurrë apo “kaçatorri” me trakte në jugun e Shqipërisë e shumë të tjera pa “memorie” në shtyp por që u ngulitën në memorien e njerëzve këtej e andej kufirit.
Nuk mund të rrimë pa përmendur një fakt historik si për këtë eksod për të cilin nisa shkrimin, në Itali, apo për atë në Greqi e në vende të tjera, një fakt që nga një krah na turpëron por nga ana tjetër i tregon “dikujt” që në fund të fundit çdo njeri nuk mund të tolerojë për efekt të mikpritjes apo humanizmit, siç bëhet në Shqipëri herë pas herë, çdo shtëpi ka rregullat e saj, parimet e saj e në se në Shqipëri u prish shteti më 91’ me pa mendësinë dhe autorizimin e qarqeve drejtuese të asaj kohe dhe të “dikujt” që e dëshironte këtë “tokë të djegur”, në shtetet ku shqiptarët kërkuan strehim ekonomik, shteti funksiononte dhe funksionon, atje jo pak ngjarje shkatërruar imazhin e mijërave të tjerëve që kishin shkuar për punë të ndershme, për të fituar atë liri që ju mohua për 4 dekada.
Sa historia njeh shtypi dhe memoria e njerëzve që jetuan andej, disa edhe të fryra me qellim nga shtypi i atyre vendeve apo edhe thjesht siç e kam quajtur unë dikur për “një yll” më shumë në spaletat e ndonjë polici që gjithsesi “bazën” e faktit ja ka dhënë vetë shqiptari, por të gjitha ato ndikuan jo pak në përfytyrimin e mikpritësve tanë për një figurë shqiptari që paraqitej për punë apo edhe thjesht për të marrë me qera një ambient. Nuk mund të rri pa kujtuar një rast në ishullin e Kretës kur një shqiptar i marrë në shtëpi nga një familje greke prej disa vitesh, përdhunon plakën 80 vjeçare, apo bandat e plaçkitësve dhe vjedhësve të vilave në Verona të Italisë me fundin tragjik, vdekjen e pleqve pronarë të vilave. Të gjitha këto i dhanë shkas qarqeve raciste të Greqisë dhe Italisë që të mblidhnin më shumë simpatizantë rreth tyre e me fushata denigruese në disfavor të shqiptarëve mbushnin faqet e shtypit në vendet përkatëse.
E njëjta gjë nuk u bë në Shqipëri, edhe pse njëlloj, këtu bashkë me investitorët e huaj dashamirës e me vullnet për të bashkëpunuar, hynë edhe mashtrues të sprovuar që vunë “ në siklet” struktura të tëra me lojërat e tyre që në një shtet si i yni nuk ishin mësuar të bënin. Në shumë raste mashtruesit gjetën “tokë të butë” e në disa raste bashkëpuntorë por kurrë të dënuar e kurrë të hetuar.
Në Shqipëri miqtë italianë gjetën mikpritësin deri në ADN, e më kujtohet një kapiten i marinës luftarake detare italiane që deklaroi me rastin e incidentit të një marinsi amerikan në Durrës: “Ne kemi vite këtu, por asnjë herë nuk ka ndodhur që një marins italian të sulmohet, jo se jemi më të mirë por sepse ne jemi njëlloj, në kulturë e tradita e dimë të respektojmë njëri-tjetrin”. Pra ata, italianët, u mësuan të jenë miq me ne që atëherë më ’91, apo ndoshta shumë më parë, më 1475, apo ndoshta që në kohën e Teutës e më pas të Gentit, ndoshta për këtë Ciceroni i kërkoi Jul Cezarit që internimin ta kryente në Durrës. Historia nuk harron kurrë, ajo është më “kokë fortë” se ne Shqiptarët.
Më kujtohet ajo kohë që u quajt më vonë “incidenti” i stadiumit të Barit.
Ishte eksodi i dytë i madh, tentativa ishte një skenar pak a shumë i ngjashëm me atë të ’91, ndoshta sepse “HARRESA SJELL RIPËRSËRITJE”!
Më kujtohen skenat që transmetoheshin, dërgimi i refugjatëve në stadiumin e Barit nga anijet që i kishin sjellë rishtazi shqiptarët në Puglia për të ikur nga Shqipëria, shqiptarët që kërkojnë të ikin nga vendi i tyre për të mos përballuar situatën, ose në pamundësi për ta rregulluar vetë atë, gati-gati njëlloj si sot.
Brenda turmës në ikje për të shpëtuar nga trazirat në Shqipëri, banda kriminelësh shqiptarë ndërsenin popullin të sulmonin edhe forcat e rendit apo ekipet që shpërndanin ndihma ushqimore të emergjencës. Shumë prej tyre kacavirreshin mbi muret rrethuese të stadiumit. Shumë mundën të largohen, por shumica u rikthye me dhunë ligjore në shtetit të tyre, në Shqipëri. Ajo që u quajt “incidenti i stadiumit të Barit” në eksodin e gushtit ishte vetëm një incident që nuk mund të njollosë një miqësi shumëshekullore. Nuk mund të justifikohet dhuna ndaj njerëzve, por nga shkaku vjen edhe pasoja. Në fund të fundit, “ke inat e jepi hakun”. Ata ishin në shtëpi të tyre, ne i vajtëm brenda me dhunë.
Ndihmat e Italisë dhe vendeve të Evropës ndoshta me një menaxhim më të rregullt e jo korruptim do të mjaftonin që ky vend të kishte kaluar tranzicionit shumë kohë më parë, në se sot e ka kaluar. Fajtorë nuk janë vendet mike si SHBA, Turqia, Italia apo Gjermania. Fajtorë janë “baballarët e kombit” që abuzojnë me ndihmat e miqve dhe më pas tregohen mosmirënjohës. Sot shqiptarët në Itali, falë ligjeve integruese atje, falë punës së tyre e sensit të familjes, falë karakterit të tyre të fortë (të pranuar nga të gjithë) janë integruar në atë vend mik që në fillim i pranoi e i ndihmoi në ditë të vështira pastaj i futi mes tyre si të barabartë. Edhe sot komuniteti shqiptar është i dyti në Itali për nga numri dhe i pari në integrim shoqëror. Firmat shqiptare janë ato në absolut më me shumicë nga të gjitha komunitetet e emigrantëve në Itali. Shkollat shqiptare, në Itali janë të shumta dhe në shumë universitete ka degë të gjuhës shqipe ku studiojnë jo vetëm shqiptare por edhe italianë.
Nga krahu tjetër, në Shqipëri, shumica e investimeve të kryera tek ne vijnë nga Italia, shumë biznese me Join Venture janë produkt i këtij emigracioni, qindra e mijëra vende pune janë hapur në sajë të këtyre bizneseve dhe me krizën e madhe që po kalon Italia duket se shumë të tjera po drejtohen drejt Shqipërisë dhe i takon politikes shqiptare që “t’i drejtojë” me zgjuarsi e me ligje të nevojshme e jo të grinden për një dekoratë të vonuar që Presidenti i Shqipërisë, që me sa duket në këto katër vjet vetëm këtë diti të bëjë shumë mirë, i akordoi qytetit të Barit. Mbase politika shqiptare duhet të shikojë mundësinë që këtë dekoratë t’ia akordoi të gjitha qyteteve që bujtën shqiptarët në këto vite pa fund të tranzicionit unikal shqiptar.
Marrë nga gazeta-lajmi.info