Media prestigjioze britanike “The Independent” i ka kushtuar një tjetër artikull protestave që po mbahen në Shqipëri kundër kryeministrit Edi Rama, duke përmendur faktin se mbështetja që tregoi Dua Lipa u mirëprit nga ata që dalin çdo ditë në shesh prej më shumë se një muaji.

Media shkruan se ylli global i ka dhënë mbështetje demonstratave antiqeveritare, ndërsa qytetatët e shohin atë si një shtysë të kauzës së tyre.

“Është e lodhshme, shpesh shumë vapë, dhe ka një ndjenjë zhgënjimi midis protestuesve që udhëheqësit e Shqipërisë po refuzojnë t’i dëgjojnë kërkesat e tyre – së bashku me frikën se mediat botërore po humbasin interesin me kalimin e ditëve. Pra, të dëgjosh një superyll global si Dua Lipa të japë mbështetjen e saj për kauzën e tyre po mirëpritet nga aktivistët.”, thuhet në artikull.

Media citon gjithashtu disa aktivistë që vlerësuan deklaratën e këngëtares, e cila shprehu shqetësim për ndryshimit e ligjit për zonat e mbrojtura.

“Faleminderit Dua Lipa për kontributin që jep për lirinë e shqiptarëve që janë pengje të komunizmit të Edi Ramës. Ajka e intelektualëve, akademikëve dhe profesorëve shqiptarë, të cilët japin dije në universitetet e botës demokratike, i janë bashkuar Shqipërisë së re!”, citon media aktivistin Besim Ndregjoni.

Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), i përshkruan komentet e Dua Lipës si “një gllënjkë ajri të pastër”, thuhet më tej në artikullin e medias në fjalë.

“Zëri i saj arrin tek miliona njerëz dhe për shumë të rinj shqiptarë ajo është një model për t’u ndjekur. Të shohësh dikë të nivelit të saj të flasë hapur për mungesën e transparencës që rrethon këtë projekt u ka dhënë njerëzve shpresë dhe vendosmëri të re. Ajo ka zgjedhur të qëndrojë në anën e natyrës, transparencës dhe interesit publik dhe besoj se historia do ta kujtojë këtë.”, tha ai.

Media përmend edhe zemëraten që shkaktoi qeveria me financimin prej 4 milionë eurosh të koncertit të Kanye West.

Një koncert shumë i diskutueshëm i Kanye West që u zhvillua në Tiranë të shtunën e kaluar më 11 korrik ka shtuar frustrimin e aktivistëve, me protestuesit që kritikojnë qeverinë për mirëpritjen e një këngëtari i cili është i ndaluar në vendet e tjera evropiane për shpërthimet e tij neonaziste dhe antisemite, dhe për lirimin e një shume emergjente prej 4 milionë eurosh për të shpëtuar koncertin kur nuk u shitën mjaftueshëm bileta.”, shkruan The Independent.