DURRES– Ditën e hënë, gjykata e qytetit bregdetar, në një proces rekord për nga shpejtësia me të cilën u mbyll, dënoi me 25 vite burg Shaban Norjen, atë që në shtyp dhe në opinionin publik u etiketua si “monstra” e Durrësit. Duke marrë në konsideratë moshën aktuale të Norjes (80 vjeç), pak kush mund të mendojë se ai do dalë i gjallë nga burgu. Po ndërsa maniaku 80 vjeçar, që i mori jetën një vajze të re, shtatzënë me fëmijën e tij, do t’i ngrysë ditët e fundit të jetës që i ka mbetur prapa hekurave të një qelie, shumë mund të pyesin për fatin e familjes së Ajshe Vatës.

Familja, që rreth 3 muaj më parë u ndje nën një presion mjaft të madh për shkak të ngjarjes tronditëse dhe faktit se në media u përfol se edhe motra e madhe e Ajshes kishte rënë viktimë e maniakut seksual, ka më shumë se një muaj që është larguar nga Shqipëria. Kryefamiljari Muhamet Vata, bashkë me gruan dhe fëmijët e tij, ka shkuar në Suedi. Dera e ofiçinës së tij është e mbyllur, ndërkohë që në shtëpinë tre katëshe tashmë jeton vetëm babai i Muhametit bashkë me familjen e tij.

Këtë fakt e deklaron vetë babai i tij dhe gjyshi i Ajshes, Sul Vata për Durrëslajm.com. Duket se familja nuk mund të jetonte më në atë vend ku gjithçka do t’i kujtonte Ajshen e vrarë dhe për më tepër në vendin skandinav do të jenë larg syve të opinionit publik, peshën e gjykimit të të cilit duket se ata e ndjenë shumë.  

“Im bir u ngrit e iku në mes të natës vetëm nga turpi, se nuk i dilte dot para miletit, kur nuk kishte asnjë faj. I ka vënë kyçin të gjithave, shtëpisë, servisit…. Iku sa më larg të mundej, në Suedi ka shkuar. Ka rreth një muaj e gjysmë, që është vendosur atje. Disa ditë qëndroi në hotel, ndërsa tani ka marrë shtëpi dhe është stabilizuar mirë. Mori të gjithë familjen, gruan dhe pesë fëmijët. Janë mirë dhe flasim pothuajse çdo ditë. Ai ka merak për ne dhe pyet për të gjithë, por asnjëherë nuk ka pyetur për maskarain, (Shaban Norjen) se çfarë u bë me të, rron a s’rron”,- thotë Sula.

Familja e ardhur vite më parë nga rrethi i Kukësit në Xhafzotaj vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi, pak metra larg të cilës u konsumua një nga vrasjet më të tmerrshme të këtyre viteve të fundit. Ose më mirë jeton vetëm një pjesë e saj, familja e gjyshit të Ajshes, sepse familja e 18 vjeçares ndoshta nuk do të kthehet më kurrë.

Megjithëse Shabani e pranoi fajin dhe në seancën e fundit gjyqësore shprehu pendesën e tij për krimin e kryer ndaj 18 vjeçares, familja, ose më mirë fisi Vata, nuk mund ta harrojnë asnjëherë këtë turp. Ata duket se duan ta varrosin thellë në kujtesën e tyre gjithë këtë tragjedi dhe ndoshta kjo ishte dhe një nga arsyet që asnjë prej familjarëve të vajzës së vrarë nuk ishte i pranishëm gjatë seancave gjyqësore të Shaban Norjes.

Kjo shprehet mjaft qartë edhe në fjalët e Sul Vatës kur thotë: “Me atë që na bëri Shabani, nuk duam të dëgjojmë fare për të. Ai nuk turpëroi vetëm veten e tij, por edhe ne si fis. Nuk na intereson fare të flasim për të dhe as nuk duam ta rikthejmë në kujtesën tonë atë histori që gatoi ai…”.

Ndërkohë krimi i Shaban Norjes vazhdon të komentohet nga banorët e zonës, për më tepër që në mendjet e të gjithëve janë rikthyer edhe njëherë ato ditë të para të tetorit të vitit të kaluar, tani që Shabani mori dënimin nga gjykata. Në komunitetin e zonës banorët shprehen me keqardhje për fatin e keq të familjes Vata, e cila humbi vajzën, por mori edhe një “njollë” në moralin popullor.

Qatip Manovi, një banor i kësaj zone, i cili e njeh shumë mirë Muhamet Vatën, shprehet se dënimi i dhënë për Norjen nuk është ai i duhuri, pasi “monstra” duhej të ekzekutohej, sepse shkeli me këmbë mbi mirësinë e babait të Ajshes.

“Me atë që bëri, Shabani duhej dënuar me varje e jo me 25 vite burg. I mbylli derën kësaj familje, saqë e bëri të dukej e turpëruar përpara popullit dhe e bëri të zhdukej nga faqja e dheut. Por turpin le ta mbajë Shabani, pasi vetëm ai ka përgjegjësi për atë që ndodhi. Muhameti i shkretë është njeri me sedër. Ai kujton se njerëzit janë të tërë si ai dhe e mbante afër, por shiko si ja shpërbleu”,- thotë Manovi.

Tre muaj më parë, i gjithë komuniteti i kësaj zone u trondit thellë, jo aq nga vrasja, sesa nga monstruziteti i krimit dhe perversiteti i 80 vjeçarit Norja. Një vajzë e re humbi jetën, një familje u detyrua të arratisej për të mos duruar gjykimin e opinionit publik, ndërkohë shkaktari i gjithë kësaj do t’i ngrysë ditët në qeli. Por pavarësisht dënimit të Norjes, pesha e krimit të tij do të vazhdojë të ndihet edhe për shumë kohë në komunitetin e Xhafzotajt.