PUKË- Në vështirësi të theksuar ekonomike, pa minimumin jetik të kushteve, familja Istrefi në fshatin Dedaj të Pukës tashmë jeton edhe me rrezikun e shembjes së banesës. 

Kushtet e vështira atmosferike dhe pamundësia ekonomike për ta mirëmbajtur duket se kanë tundur kullën shekullore ku jeton kjo familje, tetë anëtarët e së cilës tashmë rrezikojnë t’i zërë edhe brenda. 

E vetmja mundësi për mbijetesë është emigrimi i kryefamiljarit në Mal të Zi, i cili shkon siguron bukën e gojës dhe kthehet pranë familjes teksa jeton me ankthin se banesa mund të shembet nga dita në ditë. 

Sipas Fatmir Istrefit mundësitë për tu strehuar në një vend tjetër janë totalisht të pamundura, ndërsa gjashtë fëmijët e tij gdhihen e ngrysen me rrezikun e shembjes së banesës. 

“Shtëpia mu ka shemb dhe nuk jam në gjendje të përballoj rregullimin e saj. Jam pa punë, vetë i teti në shtëpi. Ka dalë që shtëpia është e pabanueshme, më kanë thënë që të dal, po unë nuk kam ku të shkoj”, rrëfen ai. 

Lotët e fëmijëve vijnë si një apel për ndihmë ndaj kësaj familje, e cila teksa jeton në kufijtë e varfërisë tashmë mbetet edhe e rriskuar si pasojë e rrezikut që iu shkakton banesa gati në të shembur.