TIRANE- Një muaj pas vdekjes së 17-vjeçarit, Julian Çuni, familja e tij i bën apel sistemit të drejtësisë shqiptare që të vërë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, i cili u vra barbarisht, teksa ishte duke punuar si faturino në linjën Tiranë-Durrës. Xhaxhai i Julianit, Ibrahim Çuni rrëfen për "Gazetën Shqiptare" se ata nuk kërkojnë gjë tjetër vetëm që të zbatohet ligji, pa kaluar deri në vetëgjyqësi. "Ne duam vetëm që autorët që vranë nipin tim të burgosen përjetë. Në të kundërt ne do të bëjmë vetëgjyqësi", pohon xhaxhai i Julianit. Sipas tij, ekziston mundësia që edhe prokurori i kësaj çështjeje të jenë kërcënuar, përderisa ai nuk po tregohet i drejtë. 
 

Nëna e Julianit ka kërkuar në një emision në televizionin "Neës 24", që shoferi i fugonit të tregojë të vërtetën e ngjarjes. Pas këtij apeli, a ka reaguar shoferi dhe a ka ardhur që t`ju takojë? 

Shoferi deri më sot, nuk na ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen. Madje, ai nuk na ka ardhur që të na takojë. Por, pas asaj dite është zhdukur edhe pronari i fugonit dhe ne ende nuk kemi një version se si mund të ketë ndodhur ngjarja. 
 

Çfarë ju kanë thënë deri tani për personat e dyshuar për vrasjen e nipit tuaj? 

Vëllai im, Bilali ka takuar prokurorin e çështjes, Gjon Kodra. Gjatë bisedës, prokurori i ka ushtruar presion psikologjik vëllait tim. Bilali e ka pyetur se çfarë po bëhet me autorët e vrasjes së Julianit, por prokurori është sjellë si gjyqtar dhe i ka ushtruar presion psikologjik, duke e pyetur se "çfarë kërkon ti". Vëllai im i ka thënë se pse deri tani është arrestuar vetëm një person dhe jo më shumë, ndërsa prokurori përveç se i ka ushtruar presion psikologjik, nuk i ka thënë asgjë tjetër. 
 

Çfarë kërkoni ju nga drejtësia? 

Ne si familje kërkojmë që të zbatohet ligji dhe që të burgosen përjetë vrasësit e nipit tim, i cili ishte në punën e tij, pa i bërë keq njeriu. Ne kërkojmë që të ndiqet rruga ligjore, por nëse drejtësia nuk jep burg të përjetshëm për autorët e vrasjes, nuk na ngelet gjë tjetër vetëm që të kalojmë në vetëgjyqësi. Babai i Julianit, vëllai im, ka takuar edhe Kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llallën. Ky i fundit i ka thënë se "dosja po shikohet me seriozitet nga ana e Prokurorisë dhe se të jetë i sigurt se çdo gjë do të marrë zgjidhje, ashtu siç e parashikon ligji". .