Pas gjashtë vitesh heshtje, Fation Kuqari ka vendosur të flasë për një nga skandalet më të përfolura në historinë e reality show-t “Për’puthen”, duke ndarë për herë të parë versionin e tij për marrëdhënien mes Tea Trifonit, Beart Rexhepit dhe Andi Shehit.

I ftuar në emisionin “E Diell”, në rubrikën “Trotuar”, ish-konkurrenti rrëfeu se gjatë asaj kohe u përball me akuza të padrejta. “Për pesë muaj më quajtën mashtrues, sepse njerëzit mendonin se isha pjesë e lojës. Por unë e dija të vërtetën,” u shpreh ai, duke shtuar se kishte zgjedhur të mos fliste për shkak të një premtimi të dhënë.

“I dhashë fjalën dikujt që më kërkoi të mos e zbuloja të vërtetën dhe i qëndrova asaj fjalë. E bëra për shoqëri, jo për lojë, edhe pse u keqkuptova. Sot nuk kam nevojë të ushqehem me skandale”, u shpreh Kuqari, duke lënë të kuptohet se ka pasur më shumë pas asaj historie sesa u shfaq në ekran.

Lidhja mes Teas dhe Andit, e cila u ndërtua gjatë emisionit, rezultoi më vonë e rreme, pasi jashtë programit Tea kishte nisur një lidhje me Beart Rexhepin, gjë që tronditi publikun në atë kohë.