Manchester City është akuzuar nga Federata Angleze e Futbollit për sjelljen e futbollistëve, në ndeshjen kundër Liverpool, në momentin e dhënies së penalltisë në favor të Liverpool, në sfidën e luajtur ditën e diel në “Ettihad Stadium”. FA po heton sjelljen e lojtarëve dhe pritet të marrë masa disiplinore. Ngjarja ndodhi në minutën e 50-të, kur Michael Oliver akordoi një penallti për “të kuqtë”, për faullin e shkaktuar nga Gael Clichy ndaj Roberto Firmino.

Faktikisht, mbrojtësi i City u penalizua për lojë të rrezikshme, por në këto raste rregullorja parashikon faull me dy takime. James Milner e shndërroi në gol penalltinë e kontestuar ashpër nga futbollistët e City, që pikërisht me sjelljen e tyre rrezikojnë të prodhojnë një gjobë të majme për klubin. Clichy dhe David Silva u ndëshkuan me karton të verdhë për protesta. Gjithsesi, Manchester City arriti të barazojë me golin e shënuar nga Sergio Aguero duke marrë një pikë, e cila i dha mundësinë të mbronte vendin e tretë, që garanton praninë në Champions sezonin e ardhshëm.