Federata Shqiptare e Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë ka reaguar në rrjetet sociale pas ngjarjeve tragjike të regjistruara në plazhet e vendit, duke kërkuar që siguria në zonat bregdetare të trajtohet si prioritet kombëtar.

“Sa lajme fatale duhet të dëgjojmë ende? Sa fëmijë e të rinj duhet të humbin jetën që siguria në plazhe të trajtohet si prioritet kombëtar?

I bëjmë thirrje të gjitha bashkive bregujore që të investojnë në sigurinë e plazheve publike dhe të garantojnë praninë e vrojtuesve të plazhit të trajnuar në çdo zonë ku lejohet notimi dhe frekuentohet nga pushuesit.

Jeta njerëzore nuk ka çmim. Asnjë fond financiar nuk mund të vihet në përdorim më të mirë sesa për mbrojtjen e saj.

Vrojtues plazhi, pajisje shpëtimi, sinjalistikë e qartë dhe masa parandaluese nuk janë shpenzime. Janë investime që shpëtojnë jetë.

Sezoni sapo ka nisur dhe tashmë kemi humbur jetë të reja. Nuk mund të presim tragjedinë e radhës për të reaguar.

I ftojmë Bashkitë bregujore, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit @akb.gov.al dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit @mtks.gov.al të bashkëpunojnë për të garantuar plazhe publike të sigurta, të mbuluara me vrojtues plazhi dhe të përgatitura për të mbrojtur jetën e çdo pushuesi.

Siguria nuk negociohet. Jeta njerëzore është prioritet. #sigurianeplazh #vrojtuesplazhi”, shkruan federata.