Për shkak të prerjes cezariane, fëmijët nuk vijnë në kontakt me bakteret nga kanali i lindjes së nënës dhe kështu nuk krijojnë imunitet të mjaftueshëm dhe janë më të ndjeshëm ndaj alergjive. 

Foshnjat, të cilat nuk kalojnë nëpër kanalin e lindjes dhe që nuk vijnë në kontakt me bakteret e nënës, kur rriten janë dukshëm më alergjikë ndaj pluhurit, qimeve të kafshëve, merimangave, polenit dhe alergjenëve të tjerë, ka zbuluar studimi i spitalit amerikan, Henri Ford. 

Në këtë studim mjekët kanë analizuar gjendjet mjekësore të 1.258 foshnjave prej lindjes deri në vitin e dytë të jetës dhe kanë vërtetuar se fëmijët e lindur me prerje cezariane sëmuren pesë herë më shpesh nga alergjitë. "Kjo gjë e konfirmon hipotezën se higjiena e tepërt, madje edhe gjatë lindjes, është e dëmshme për shëndetin e fëmijës. Ekspozimi ndaj mikroorganizmave që nga lindja mundëson krijimin e imunitetit më të mirë",- ka deklaruar udhëheqësja e studimit, Kristine Koul Xhonson.