TIRANË, 22 shkurt 2013 – Mrekullia e prokurimit elektronik: fëmijët e kryeqytetit do të hanë bukë gruri të prodhuar shumë larg, në një furrë në malet e Kukësit! Agjencia e Prokurimit Publik bën të ditur se Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në Tiranë, më datën 8 shkurt 2013, ka nënshkruar 5 kontrata për furnizim ushqimesh me të njëjtën firmë nga fshati… Kalis i Kukësit. Kjo firmë i ka kursyer arkës së bashkisë së Tiranës 72.125 lekë, teksa do të arkëtojë për 5 ofertat fituese gjithsej 14.112.850 lekë. Në Kalis të Kukësit Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në Tiranë do të furnizohet nga 5 kontratat me mish viçi, artikuj të ndryshëm ushqimorë, bulmet e vezë, fruta dhe zarzavate, deri dhe me bukë gruri. 

Prapa Tiranës nuk mund të mbetet dhe Durrësi. Agjencia e Prokurimit Publik bën të ditur se më 13 shkurt 2013 shoqëria publike “Ujësjellës Kanalizime sha” Durrës ka lidhur kontratë me një firmë nga fshati Dishnicë i Korçës, që kishte fituar tenderin për blerje sulfat alumini (poliklorur alumini) pluhur Al2(SO4)-14 H2O. Firma nga fshati i Korçës i kurseu arkës së ndërmarrjes 2.775 lekë, duke paraqitur ofertën fituese prej 5.550.000 lekë!

Kalisi

Komuna Kalis është komuna më jugore e qarkut të Kukësit. Ndodhet në kufi me komunën e Bushtricës dhe me Dibrën. Njihet për perimet, delet, mollët, lumin e Veleshicës dhe për terrenin e saj malor. Fshatrat kryesore janë Kalisi, Gështenjë-Kalisi etj. Zona e Kalisit është një nga me të varfrat në të gjithë Shqipërinë. Për shkak të kushteve të pafavorshme natyrore dhe lënies mbas dore nga qeveritë e ndryshme në Shqipëri banorët e zonës janë shumë të varfër dhe prandaj po shpërngulen në Tiranë dhe Durrës për një jetë më te mire.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/