Nga Gladiola Jorbus
Ime bijë më pyet shpeshherë: – Ku jetoja unë para se të isha në barkun tënd? – Në zemrën time, – i përgjigjem duke e përkëdhelur dhe shtrënguar fort në përqafimin tim.
Në fakt mendoj se është plotësisht e vërtetë që foshnja ngjizet dhe lind fillimisht, në mendjen dhe zemrën e prindërve të tij. Për nëntë muaj radhazi, nëna ëndërron dhe projekton kukullën ose princin e ardhshëm që do t’ia ndryshojë jetën kryekëput. Deri në çastin kur fëmija del në dritë, fantazitë shërbejnë për t’i dhënë formë bebes së shumëpritur dhe njëkohësisht për të ushqyer shpresat dhe dëshirat e prindërve, pavarësisht se për të satën herë po e përjetojnë këtë përvojë.
Sipas disa psikologëve, mendimet e nënës së ardhshme karakterizohen nga një ndërthurje perceptimesh e ndijimesh që enden midis së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Ajo rikthehet në fëmijërinë e hershme dhe kujton nënën e saj; më pas vjen në realitetin aktual, në gjendjen që është – dhe imagjinon fëmijën që do të ketë dhe se ç’lloj nëne do të jetë. Thonë që nëna lind njëherësh me fëmijën.
Përgjatë rrugëtimit si prind i ri apo me eksperiencë të shoqërojnë dyshimet, bindjet, pendesa, frika, dashuria sipërore mbi vetveten, shpresat dhe iluzionet, identifikimi i dyfishtë, herë me fëmijën e herë me veten dhe aty kupton se do të jetosh marrinë e hyjnoren. Dueli vazhdon deri në momentin që foshnja fle apo qan në krahët tuaja, aty ku duket sikur ju kanë vendosur globin të mishëruar në mrekullinë e madhe të krijimit të pareshtur të jetës.
Imagjinata e gruas shtatzënë koklavitet me aktivitetin onirik gjatë shtatzënisë, duke intensifikuar pritshmëritë dhe përqendrimin mbi kryefjalën e shtatzanisë – foshnja.
Ky proces shkakton një rritje të konsiderueshme të të menduarit të ndërgjegjshëm dhe joreal, por jo vetëm. Në këtë periudhë reflektimi të vazhdueshëm, bëhet vlerësimi i së kaluarës dhe planet për të ardhmen.
Në këtë fazë, nëna shtatzënë dhe babai i ardhshëm mund të ngrenë pikëpyetje mbi marrëdhëniet me prindërit e tyre dhe njëherazi të distancohen nga qëndrime të caktuara (Unë kurrë nuk do të sillesha në aksh formë me fëmijën tim siç kanë bërë ata) ose anasjelltas, do të përcillnin prej tyre modele pozitive, përpos faktit që shumë syresh trashëgohen e pse jo dhe kultivohen. Atëherë fantazia bën një kërcim kuantik nga e shkuara drejt së ardhmes dhe pyetjet drejtuar vetvetes, se ç’prind do të jem vallë mbeten persekutuese. Në fazën e parë të shtatzanisë, mbizotëron qasja për të pranuar e besuar kryesisht, atë që po ndodh. Nëna e ardhshme duhet ende të realizojë mendimin se po pret një fëmijë.
Në përgjithësi, ky moment i rëndësishëm përforcohet nga efekti impresionues i ultratingullit të parë: rrahja e asaj zemre të vogël që duket sikur të thotë: "Më prit. Unë ekzistoj me të vërtetë".
Tremujori i dytë është ai që lejon një grua të komunikojë me fëmijën e saj dhe duke u mbështetur në lëvizjet e fetusit, krijon një gjysmë ideje mbi temperamentin e tij/ saj. Në këtë periudhë, nëna e ardhshme nis të interpretojë dhe t’u japë vlerë sinjaleve të foshnjës, ashtu siç do të veprojë në vazhdim për t’ia plotësuar nevojat pas lindjes e komunikuar pareshtur.
Në tremujorin e fundit, situata ndryshon. Mungon dhe pak që fëmija të vijë në jetë dhe fantazia apo mendimet (kur eksperienca është përjetuar më parë) fokusohen në sallën e lindjes. Mjeku gjinekolog luan një rol shumë të madh në udhëtimin unik “Jetët paralele brenda të njëjtin trup”. Ai duhet të jetë mbështetës, ashtu si partneri, familjarët, të afërmit e miqtë që ndajnë të njëjtën kënaqësi. Nëna e ardhshme e mirëpret me padurim ardhjen në botë të kësaj jetë të re që i ka uzurpuar ekzistencën. Fëmija vjen në botë, pasi zhvillon përleshjen e parë me jetën duke i buzëqeshur diellit, duke ngrohur zemrat e prindërve dhe duke i përmbushur ato me një dashuri të panjohur e të paprovuar më parë.
Por s’i ngjet qiellit
Nuk i ngjet prillit
As fllad’ që shëtit lulet
E me erna veshet
Foshnjës që i qeshet
Nanës, kur mbi te përkulet.
(Ndre Mjeda)
Ashtu siç shprehej dikur dhe novelisti amerikan Larry Barreto: “Fëmijët janë pluhur yjesh i hedhur nga dora e Perëndisë. Fatlume është gruaja që njeh dhembjet e lindjes, sepse ajo ka mbajtur një yll brenda saj”.