Situata e krijuar në vend si pasojë e pandemisë së Covid-19 ka bërë që shumë prindër në Durrës të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në spital për shkak të frikës së infektimit.
Kështu deklaron për “DurrësLajm” mjekja pediatre, njëkohësisht shefe e Pediatrisë në qytetin bregdetar, Marsela Manasterliu, ndërsa tregon se prindërit zgjedhin të komunikojnë me bluzat e bardha përmes telefonit.
“Situata e pandemisë, patjetër që prindërit kanë patur një frikë për t’i sjellë në spital, është e vërtetë kjo gjë, sepse na ndodh shpesh që të na marrin në telefon dhe më thonë që kam frikë ta sjell në spital për shkak të situatës, ka ndikuar.”
Duke u ndalur tek infektimet me Covid, mjekja shprehet se numri i fëmijët të prekur nga virusi në Durrës është i ulët dhe rastet e evidentuara nuk kanë patur probleme të rënda shëndetësore.
“Raste covid kemi patur po numri ka qenë shumë i vogël, jo problematik, fëmijët që kanë rezultuar me Covid nuk kanë pasur asnjë problem të rëndë shëndetësor, si çdo sëmundje e zakonshme për çdo fëmijë.”
Gjatë marsit, në Pediatrinë e Durrësit është rritur numri i vizitave ditore, dhe sipas mjekes Manasterliu, në muajt e ardhshëm parashikohet të ketë shtime të pacientëve të vegjël që kërkojnë ndihmë mjekësore për problemet që iu shfaqen në shëndet për shkak të virozave të stinës.
Kjo pasi një pjesë e qytetarëve po vaksinohen dhe kështu ata do të kenë më shumë lirshmëri për të lëvizur. Pavarësisht kësaj rritjeje, shefja e Pediatrisë thotë se krahasuar me periudhën para pandemisë, numri i vizitave aktualisht është shumë më i ulët.
Mjekja shprehet se komplikacionet që shfaqin fëmijët mbeten po të njëjta si temperaturë, kollë, dhimbje trupi, dhimbje fyti.
“Situata në Pediatrinë e Durrësit momentalisht, numri i vizitave ditore variojnë nga 60 në 80, kurse pjesa e shtrimeve varion me ditë, herë ka herë nuk ka. Numri i vizitave është shtuar për periudhën e marsit. Problemet që kanë fëmijët në këtë kohë janë ato që kanë qenë gjithmonë, nuk është se kemi ndonjë ndryshim të madh, madje numri i vizitave që ka tani është shumë më i ulët seç kanë qenë përpara pandemisë. Problemet janë gjendje me temperaturë, kollë, dhimbje trupi, dhimbje fyti etj.”
Mjekja pediatre apelon që prindërit fillimisht të komunikojnë me mjekun e familjes para se të paraqiten në ambientet e Urgjencës.
Ajo këshillon që të tregojnë kujdes me ushqimin dhe veshjen e fëmijëve, duke sugjeruar ushqime të shëndetshme dhe të mos e teprojnë me rrobat që iu mbingarkojnë të vegjëlve.
G.D.





