Marrë nga gazeta “Dita”

Intervista e mbrëmshme në emisionin Opinion në TV Klan e Blendi Fevziut me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pati dy përfundime.

E para, Veliaj triumfoi dukshëm në debat. E dyta, intervista rivuri në dukje modelin e shëmtuar “Fevziu”. Pse është i shëmtuar ky model.

Nuk është e tepërt të themi se në të gjithë botën, shumica e shtetasve i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me regjimet dhe qeveritë duke u bazuar në interesat e veta. Këta lloj shtetasish i përkasin vetes dhe, e shumta, familjes së tyre. Deri këtu nuk ka gjë të keqe. Fevziu, apo kushdo tjetër nuk përjashtohen nga e drejta për të zgjedhur në përputhje me interesin e tyre.

E keqja dhe e dëmshmja fillon kur këta, në saje të pozitës së fituar apo dhuruar për shkak të shërbimeve të kryera, bëhen persona publikë dhe pozitën e tyre e propagandojnë si raport të të gjithë shoqërisë me shtetin, privilegjet e tyre përpiqen t’i paraqesin si mirëqenie të shoqërisë.

Vetëm një pjesë e vogël e shtetasve e çmojnë klasën politike për sjelljen e saj ndaj gjithë shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, përcaktojnë marrëdhëniet e veta me të. Këta shtetas, ose heshtin ndaj arbitraritetit (kur nuk kanë guximin e duhur), ose ngrenë zërin e protestës (idealistët), por asnjëherë nuk pranojnë të rreshtohen në gardën politike, propagandistike apo administrative të pushtetarëve të djeshëm apo të sotëm që shkelin interesat e shtetasve të tjerë.

Po le të ndalemi te kategoria e parë, ajo së cilës i përket Fevziu.

Këta tipa nuk tuten prej gënjeshtrave dhe as prej shpjegimeve shtrembëruese (shpesh edhe idiote) që bëjnë, sepse një gjë e dinë me siguri: pushtetit apo ish-pushtetit të cilit i shërbejnë dhe prej të cilit shpërblehen i duhet dhënë gjithmonë të drejtë, ndërsa për padrejtësitë dhe krimet që ky kryen haptazi duhet shpikur gjithnjë një alibi.

Mënyra e të menduarit dhe të sjelljes që karakterizojnë këtë detashment shërbyesish, është bërë gangrenë për shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Këta, duke shkelur mbi të vërtetat, duke shtrembëruar realitetet me qëllim që të krijojnë realitete që nuk ekzistojnë, ia kanë kushtuar gjithë energjitë e tyre mbrojtjes së interesave të një grupi të vogël të majmurish nga kurtizania ku bëjnë pjesë edhe vetë.

Falë ekraneve të shpërndarë gjithandej dhe papunësisë së lartë ata janë aq të kudondodhur dhe aq intensiv, saqë njeriu, i cili ka privilegjin dhe barrën të arsyetojë, fillon të vërë në dyshim aftësinë e vet perceptuese. Nën trysninë e këtyre, njeriu arsyetues pyet veten: A nuk jam unë në gjendje të kuptoj realitetin apo këta duan të më bëjnë të marrë?

Këta “analistë” vijnë edhe nga sfera të tjera jashtë mediatike dhe paraqiten si analistë që japin mendje për të shpëlarë mendjet e njerëzve të thjeshtë.

Ky lloj ka disa karakteristika. Nuk ka kurrfarë idesh dhe as idealesh, nuk njeh skrupuj moralë, nuk mbron ndonjë alternativë, e di se privilegjet e veta i ka në saje të pushtetit dhe bën çmos t’i mbrojë ato, shfaqet aty-këtu, thuajse çdo ditë dhe paraqitet si i pavarur (për t’u bërë më i besueshëm), është agresiv dhe i guximshëm për të mbrojtur të pavërtetën.

Ata janë pjesë përbërëse e trinomit pushtet politik- pushtet ekonomik-pushtet mediatik. Të tria pjesët i shërbejnë njëra-tjetrës dhe kanë si mision përjetësimin e pozitës së tyre sociale. Ata nuk përbëjnë elitën intelektuale dhe aq më pak atë morale. Mirëpo, janë elita sunduese e Shqipërisë tonë.

Për t’i identifikuar me lehtësi ata si Fevziu na mjafton të shohim qëndrimet që kanë mbajtur ndaj gjëmave që ka bërë regjimi i Sali Berishës. E thënë ndryshe, le t’i referohemi ndërgjegjes së tyre dhe do vërejmë se:

Nuk kanë ndërgjegje kombëtare pasi, përndryshe nuk do të pajtoheshin me Marrëveshjen Antikombëtare të Detit, me ndërtimin e varrezave greke në tokat shqiptare apo me kontrabandën e naftës me Serbi-Mali i Zi kur Kosova luftonte për pavarësi.

Nuk kanë ndërgjegje demokratike, përndryshe nuk do të pajtoheshin me dhunimet e zgjedhjeve.

Nuk kanë ndërgjegje sociale, përndryshe nuk do të pajtoheshin me shpërdorimet e pasurisë kombëtare dhe mosndëshkimin e askujt dhe as me diferencat marramendëse në pasuri, të krijuar kryesisht në rrugë të paligjshme.

Nuk kanë ndërgjegje juridike, përndryshe nuk do pajtoheshin me shkeljet e pafundme të ligjshmërisë nga ish-kasta në pushtet që sot kerkon pushtetin me 100 vetë që hanë e pinë në bulevard.

Sikur Fevziu dhe shokët e tij të përfaqësonin një shqetësim të çiltër intelektual për fatet e vendit nuk do kishin mbajtur ato qëndrime që kanë mbajtur dhe, me kohë, do i kishin thënë Sali Berishës: “Mjaft më”!

Ata përfaqësojnë sjelljen më hipokrite dhe më hileqare në shoqërinë e sotme shqiptare.