Skandalet e futbollit që vuajti kohët e fundit dhe që ndryshuan totalisht skenarët për postet drejtuese, do t’i kushtojnë jo pak FIFA-s. Kostot mbi çështjet e shumëdiskutueshme të korrupsionit dhe investimet e dështuara për t’u finalizuar, e kanë çuar në 391 milionë dollarë faturën e minuseve në bilanc për vitin 2016, diçka që pritet të rëndohet për këtë vit.

Sipas ekspertëve, mbrojtja në gjykata, pagesa e shumë studiove të avokatisë për të mbrojtur dhe për të mbajtur të pastër imazhin e saj, kanë pasur një sforcim jo të paktë në financat e qeverisë së futbollit botëror. Mes dështimeve është dhe investimi i konsideruar pa asnjë plan i muzeut të futbollit dhe hotelit luksoz në Zurich, diçka që ka dështuar për t’u ngritur në pritshmëritë e komitetit drejtues.

Por pavarësisht faturës negative, presidenti Gianni Infantino mbrojti tezën për të shpërndarë para në federatat anëtare për të zhvilluar futbollin. “Ne duhet të sigurohemi që çdo çek të ardhurash të investohet më së miri në këtë lojë. Departamenti i Zhvillimit në FIFA është një dëshmi e gjallë e këtij përkushtimi”, tha presidenti Infantino. Ndërkohë, paga e tij vjetore u konfirmua në 1.5 milionë dollarë, gati gjysma e asaj që i kushtonte paga e Sepp Blatterit arkave të FIFA-s.