Opozita duket se është përcarë me ndarjen e Partisë Demokratike në dy fraksione gjë që solli edhe distancimin e partive të tjera opozitare si në rastin e Partisë Agrare Ambientaliste që do garojë veçmas në zgjedhjet lokale dhe gjithashtu formimin e aleancës mes Patozit dhe Shehit të quajtur ‘Aleanca Progresiste’ ku bëjnë pjesë Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar.

Por diferencën e përbën kandidati për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, i cili ka gjetur mbështetjen e plotë të të gjithë aktorëve opozitarë.

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, shprehet se partia e tij do të mbështesë kandidatët opozitarë aty ku pëlqimi i tyre në popull është i dukshëm, duke përmendur kështu rastin e kandidatit Igli Cara në Durrës, për të cilin tha se ka mbështetjen e gjithë aleatëve.

“Kandidatura e Iglit është vërtetësisht kandidatura që parapëlqehet nga të gjithë aktorët opozitarë. Edhe pjesa tjetër që mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme, Luan Hoti që ishte kandidat dhe të tjerët që e përkrahën, tashmë janë në shtabin elektoral të zotit Cara.

Aktorët opozitarë, kam biseduar edhe me Shehin, edhe me Patozin, me Fatmir Mediun që të gjithë janë gati që të dalin atje në tribunë përkrah Igli Carës”, u shpreh Duka.

Edhe Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet se në Durrës nuk do të gjente dot një figurë më të mirë dhe më përfaqësuese se Cara, edhe sikur ta kërkonte gjithë jetën.

“Unë e gjej veten të përfaqësuar aty, mbaron historia! Pa diskutim, mbështetja, votat e të gjitha shkojnë për Carën”, shprehet Patozi.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pak ditë më parë gjatë një takimi që pati me disa të rinj në Durrës, u shpreh optimist se kandidati i PD-së, Igli Cara, është njeriu që do të sjellë ndryshimin me programe konkrete për mbështetjen e të gjithë të rinjve.

S.L.