Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo tha pas përfundimit të ndeshjes me Ukrainën se e kishte menduar që do ta fitonte sfidën. Ai u shpreh se kundërshtari ishte i fortë, por kuqezinjtë u futën në fushë për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm.
“Po. Patjetër që po ua kam thënë dhe djemve. Asnjë trajner nuk e nis një ndeshje për të barazuar apo humbur. Ne kemi luajtur edhe me ekipe të tjera të forta si Spanja. Fizikisht Ukraina ishte skuadër e vështirë. Jemi futur në fushë për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm. Shqipëria ishte një ekip i bukur në fushë. Ne duhet të ecim në këtë rrugë, po rritemi si skuadër, por ka ende për të bërë”, u shpreh trajneri brazilian për “Klan Kuqezi”.
Ai iu përgjigj edhe disa pyetjeve të analistëve në studio. Një ndër to kishte të bënte me pozicionin e lojës së Nedim Bajramit.
“Ne jemi shumë të kënaqur me peformancën e Bajramit. Është një lojtar që mund të bëjë çdo gjë. Është përmirësuar shumë me lojën pa top. Jemi të kënaqur me performancën që ka pasur deri tani”, tha Silvinjo.
Shqipëria e fitoi me përmbysje sfidën me Ukrainën, 1-2. Për kuqezinjtë shënuan Ismajli dhe Asani.