Bota e futbollit është ende e tronditur pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës (28 vjeç), sulmuesit të Liverpoolit dhe kombëtares portugeze, i cili humbi jetën së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva (25 vjeç), në një aksident fatal me makinë në Spanjë.Sot janë publikuar pamje të reja nga vendngjarja, të cilat kanë sjellë më shumë dritë mbi atë që ndodhi në autostradën A-52, në zonën Cernadilla pranë Zamorës, vetëm pak kilometra larg kufirit portugez. Aksidenti ndodhi në një pjesë të izoluar të rrugës, ku makina Lamborghini Huracan Evo Spyder, me të cilën udhëtonin vëllezërit, dyshohet se pësoi një shpërthim të gomës teksa po tentonte të parakalonte një automjet tjetër. Mjeti u përfshi nga flakët, ndërsa ‘Marca’ bën me dije se u deshën analizat e ADN-së për të konfirmuar identitetin e dy trupave të gjetur në makinë, çka tregon se fundi i vëllezërve ka qenë tragjik mes flakëve.

Sipas medies portugeze ‘O Jogo’, prindërit dhe gruaja e Diogo Jotës (Rute Cardoso) udhëtuan për në Spanjë, vizituan Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore në Zamora dhe identifikuan dy trupat përmes sendeve personale. Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle tregojnë mbetje të shpërndara dhe dëmtime të rënda në automjetin luksoz, duke konfirmuar ashpërsinë e aksidentit fatal. Vlera e makinës së aksidentuar ishte mbi 200.000 euro, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse ishte Jota apo vëllai i tij ai që ndodhej në timon.Sipas zyrtarëve lokalë dhe shërbimeve emergjente, të dy vëllezërit ndërruan jetë në vend, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme. Guvernatori i Zamorës, Ángel Blanco, konfirmoi lajmin e hidhur për mediat.