Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëkohësisht deputeti Flamur Noka gjatë takimit me demokratët e Bulqizës, ka akuzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn se kanë vjedhur qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve.

‘Edhe sot e shpalli veten të pafajshëm, dhe se gjithë të tjerët janë të krimbur e të infektuar. Pallavra. Orë të tëra, fjalim si i paraardhësve në plenume ku gjendeshin e shpalleshin armiqtë e rinj’, tha ndër të tjera, Flamur Noka.

Fjala e mbajtur e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Te dashur miq!

Asnjëherë me pare nuk ka ndodhur që një qeveri të jetë zhytur në korrupsion dhe afera si rilindja sot, deri ne palcë, në çdo qelizë të sajën.

Ka patur gjithnjë probleme me korrupsionin vendi. Ky fenomen, asnjëherë nuk zhduket plotësisht.

Por ama, të kthehet në norme, në stil, në mburrje, ne përmbajtje, abuzimi, vjedhja

Të kalohet nga një hajdutëri në tjetrën.

Të merren nga xhepat e shqiptareve miliona euro pa teklif, ditën për diell, të merren prona e pasuri, tokat ne bregdet dhe tanimë zonat e mbrojtura e të ndahen me miq, me ministrat e tij, kjo po ndodh vetëm sot me rilindjen, me Edi Ramën e Erion Veliajn.

E dëgjuat çfarë tha sot ky që ka kaluar 17 vendime qeveria për 1 orë për inceneratorët, ky që shpalli ministren e tij investitor strategjik në Himarë, me tokë me dokumente të falsifikuara, ky që e ka future Shqipërinë borxh 120 milionë euro vetëm sepse nuk i pëlqente një televizion dhe urdhëroi mbylljen e tij, ky që ka dorën e tij, urdhërin e tij, bekimin e tij në çdo transaksion që bën qeveria, del se ky do luftoka korrupsionin.

Po a ka tallje më të madhe se kjo.

Sërish edhe sot e shpalli veten të pafajshëm, dhe se gjithë të tjerët janë të krimbur e të infektuar. Po pse si qenka qeverisja. Që ti drejton, po të tjerët mbajnë përgjegjësi. Po si qenka qeverisja, që s’paske përgjegjësi ti për hajdutërinë, për vartësit, për ata që ti ke zgjedhur të ndash pushtet me ta. Dhe kjo punë qenka vetëm e drejtësisë.

Pallavra. Orë të tëra, fjalim si i paraardhësve në plenume ku gjendeshin e shpalleshin armiqtë e rinj.