Fondi Monetare Ndërkombëtar vlerëson se një dobësim i euros dhe forcimi i monedhës vendase, lekut, mund të sjellë rreziqe të ndryshme. Në këto rreziqe, sipas FMN, përfshihen edhe zhvendosja apo largimi i investitorëve të huaj. Në raportin për ndërhyrjet në Valutë FMN rendit sektorët më të rrezikuar dhe pasojat që mund të sjellë.

“Në rrethana të caktuara ku mbiçmimi i lekut ka të ngjarë të shoqërohet nga goditje jothemelore, duke përfshirë rrezikun e zhvendosjeve të investitorëve të huaj, ndërhyrjet në treg mund të shërbejë si një mjet plotësues efektiv në zbutjen e inflacionit”, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun valutor në një madhësi prej 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nominal të vitit 2023. Por pavarësisht kësaj rreziku i kredive të pambrojtura nga kursi i këmbimit mbetet i lartë sipas FMN, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.

FMN është ndalur  edhe në ecurinë e sektorit bankar. Bankat kanë shfaqur qëndrueshmëri ndaj goditjeve që vijnë nga kreditë e këqija por dhe normat e interesit sipas këtij raporti. Por fondi rekomandon që ky tregues të përmirësohet edhe më tej në vijim.

Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), bankat shqiptare kanë treguar një qëndrueshmëri të fortë ndaj goditjeve financiare, duke përfshirë kreditë me probleme dhe ndryshimet në normat e interesit.

Megjithatë, FMN thekson se disa rreziqe mbeten, duke përfshirë ekspozimin ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe ndaj borxhit sovran. Përmes një analize të detajuar mbi të dhënat mbikëqyrëse të bankave, raporti sugjeron se sektori është i qëndrueshëm, por gjithsesi ka nevojë për forcimin e mëtejshëm të masave makroprudenciale dhe përpjekjeve për thellimin e tregjeve financiare.