Shefja e Misionit të FMN në Shqipëri, Anke Weber shprehu sot rëndësinë e një sistemi tatimor të drejtë dhe të barabartë në vend.
Ajo theksoi në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbi analizën e ecurisë së ekonomisë dhe financave shqiptare si dhe prezantimin e rekomandimeve të FMN-së, se sistemi aktual përmban një sërë përjashtimesh, të cilat kanë efektivitet të pasigurt, dhe FMN ka dhënë rekomandime afatgjata në këtë drejtim në raportet e saj.
Weber tha se, “në FMN ne kemi avokatuar për një kohë të gjatë për një sistem tatimor të drejtë dhe të barabartë në Shqipëri dhe ashtu siç kemi konstatuar në shumë prej raporteve tona, sistemi aktual ka një sërë përjashtimesh, të cilat natyrisht kanë një efektivitet të pasigurt dhe natyrisht kemi dhe rekomandime afatgjata që ju mund t’i shihni në raportet e mëparshme”.
Weber përmendi disa raste si, të vetëpunësuarit që duhet të tatohen sipas tatimit mbi të ardhurat personale, eliminimi i taksës zero për bizneset e vogla që është një rekomandim afatgjatë dhe modernizimi i sistemit të TVSH-së, duke reduktuar trajtimin preferencial, harmonizuar pragjet dhe përafruar legjislacionin me standardet e Bashkimit Evropian.
“Së pari, janë të vetëpunësuarit. Ne kemi avokatuar për një kohë të gjatë që ata të tatohen me tatimin mbi të ardhurat personale. Kemi një rekomandim afatgjatë për eliminimin e taksës zero për bizneset e vogla. Së fundmi kemi rekomanduar modernizimin e sistemit të TVSH-së, duke reduktuar trajtimin preferencial, harmonizimin e pragjeve dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së. Këto rekomandime mbeten”, tha Weber.





