15nëntor 2015– Identifikohet me emër e foto terroristi i dytë që shkaktoi masakrën në Paris mbrëmjen e së premtes. Ai ka qenë pjesë e grupit të refugjatëve sirianë me pasaportë që mbante emrin Ahmed Almuhamed.

Është e përditshmja serbe “Blic” që e para e ka publikuar fotografinë dhe identitetin e dikujt nga tetë terroristët të cilët u vranë pas shpërthimeve vetëvrasëse në Paris ku mbetën të vrarë më shumë se 120 njerëz të pafajshëm, transmeton Republika.info.

Te njëri nga ata është gjetur pasaporta siriane me emrin Ahmed Almuhamed. Në bazë të kësaj pasaporte, autoritetet e sigurisë franceze kanë kërkuar ndihmë nga Serbia, pasi që autoritetet serbe i kanë regjistruar të gjithë migrantët që kanë hyrë në Serbia, respektivisht në Preshevë dhe e kanë listën komplete të të gjithë migrantëve që kanë ardhur në Ballkan.

Ashtu siç kanë raportuar zyrtarët grekë, Almuhamed ka hyrë në territorin e Greqisë më 3 nëntor. “Blic” bën të ditur se ai në territorin e Serbisë ka hyrë më 7 tetor afër fshatit Miratoc të Preshevës, nga Maqedonia.

Ai është regjistruar në qendrën e migrantëve në Preshevë, ku formalisht ka kërkuar azil. E ka vazhduar rrugën, duke kaluar më pas në Kroaci e tutje për në Austri. Bashkë me një 29-vjeçar francez ai është terroristi i dytë i identifikuar mes 8 autorëve të sulmeve që mbetën të vrarë.

/portali DurresLajm/