Pak më shumë se dy muaj pas nisjes në hapësirë, eksploruesi më i ri në NASA – Imaging X-Ray Polarimetry Explorer, ose IXPE – ndau imazhet e tij të para, në të cilat shfaqet “Cassiopeia A”, mbetja më e famshme e një supernove ose ylli në shpërthim.

Rreth mbetjeve të yllit, shihen re në ngjyrë të purpurt të mbushura me gaz. Këto re, krijohen kur valët goditëse nga shpërthimi, ngrohin gazin përreth në temperatura aq të larta, sa që çlirojnë grimca me energji po aq të lartë që quhen rreze kozmike.

“Imazhi IXPE i Cassiopeia A është i mrekullueshëm dhe ne mezi presim të analizojmë të dhënat e polarimetrisë për të mësuar edhe më shumë rreth kësaj mbetjeje të supernovës”, tha në një deklaratë Paolo Soffitta, hetuesi kryesor italian për IXPE në Institutin Kombëtar të Astrofizikës në Romë.

Anija kozmike, një përpjekje bashkëpunimi midis NASA-s dhe Agjencisë Italiane të Hapësirës, përbëhet nga tre teleskopë. Megjithëse Cassiopeia A është vëzhguar më parë duke përdorur teleskopë të tjerë, IXPE është krijuar për të zbuluar më tepër rreth disa prej objekteve më ekstreme në univers, si supernova, vrimat e zeza dhe yjet neutron.

universi 1024x576

Pjesëza e supernovës Cassiopeia A ndodhet rreth 11 000 vite dritë larg nga Toka. Momentalisht, është një flluskë gjigante e mbushur me gaz të nxehtë, në zgjerim dhe është mbetja më e re e zbuluar nga një shpërthim supernova.

Të dhënat me rreze X të kapura më parë nga Observatori i Rrezeve X Chandra i NASA-s mund të shihen në ngjyrë blu.

Chandra u nis në hapësirë në vitin 1999 dhe u fokusua menjëherë te Cassiopeia A, duke zbuluar praninë e një vrime të zezë ose të një ylli neutron në qendër të mbetjes së supernovës.

“Imazhi IXPE i Cassiopeia A është po aq historik sa imazhi i Chandra-s, i të njëjtës mbetje të supernovës”, tha në një deklaratë Martin C. Weisskopf, hetues kryesor i IXPE me bazë në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore të NASA-s në Huntsville, Alabama.

Të dhënat që IXPE ka mbledhur rreth Cassiopeia A mund t’i ndihmojnë shkencëtarët të masin se si polarizimi ndryshon në të gjithë mbetjen, e cila është 10 vite dritë e gjerë.

Përdorimi i IXPE për të studiuar polarizimin e rrezeve X kozmike i ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë mbetjet e yjeve të shpërthyer, si vrimat e zeza dhe yjet neutron, mjediset e tyre dhe si prodhojnë rrezet X.

Kjo perspektivë mbi objektet ekstreme kozmike mund të zbulojë gjithashtu përgjigjet për pyetjet më të mëdha themelore rreth fizikës.