9nëntor 2015 – Një “lumë” do të përshkojë qendrën e Shijakut. Projekti që është drejt fundit ka marrë formën e tij, duke shuar kureshtjen e qytetarëve. Qendrën e qytetit të Shijakut, dikur lulishte, e përshkon uji, ndërsa mbi të do të ndërtohen ura prej druri. Përreth është bërë shtrimi me pllaka guri, aty ku dikur kishte asfalt.

Në fakt, ndryshimi ka nisur që në hyrje, pikërisht tek ura e famshme e Shijakut. Shirita metalike në ngjyrë të bardhë janë krijuar si “gardhe”, ndërsa në lartësi kryqëzohen në cepa, duke u dukur si “çati”. Ende nuk dihet nëse qendra e re do të jetë gati për festat e fundvitit, ndonëse vetë kryebashkiaku Ardian Kokomani shprehet optimist.

Ai ka publikuar fotografi natën të këtij investimi, i cili nisi pak javë para zgjedhjeve të 21 qershorit.

Qendra e Shijakut, siç tregohet dhe në këtë foto të vitit 1964 ishte e përbërë nga lulishtja me pak a shumë pamjen që banorët e zonës shikonin deri para pak muajsh.

Viti 1964

Viti 2008

Aktualisht, Bashkia e Shijakut është qendra e bashkisë së madhe së krijuar me ndarjen e re administrative, e cila përbëhet nga qyteti i Shijakut, Gjepalaj, Maminasi dhe Xhafzotaj.

/portali DurresLajm/