Franca po përjeton një valë të pazakontë të nxehti me temperatura që arrijnë deri në 41°C, duke detyruar autoritetet të marrin masa ekstreme për mbrojtjen e popullatës. Agjencia shtetërore Meteo France ka lëshuar alarmin e kuq për 16 rajone, ndërsa vala përvëluese ka përfshirë edhe pjesë të tjera të Evropës, nga Gjermania dhe Spanja, deri në Greqi.
Në Paris, Kulla Eiffel është mbyllur pjesërisht që nga dita e hënë, ndërsa të martën (2 korrik) hyrja në monument u mbyll plotësisht që në orën 16:00, me hyrjen e fundit të lejuar në orën 14:30. Vizitorët me bileta për pasdite janë njoftuar për rimbursim automatik, ndërsa të tjerëve u kërkohet të shtyjnë vizitën për më vonë.
Për shkak të temperaturave përvëluese, mbi 1,300 shkolla në disa rajone janë mbyllur pjesërisht ose plotësisht, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell dhe të qëndrojnë të hidratuar.
Vapa është ndjekur nga stuhi të dhunshme në Alpet franceze, që kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, veçanërisht në luginën Maurienne. Si pasojë, trafiku hekurudhor mes Parisit dhe Milanos është ndërprerë për disa ditë, njofton kompania SNCF.
Sipas Prefekturës së Savojës, përroi Charmaix ka dalë nga shtrati – një fenomen i paprecedentë në 70 vitet e fundit – duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në zonën e Modane, pranë kufirit me Italinë. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Kjo situatë në Francë është pjesë e një vale të gjerë të nxehti që ka përfshirë pjesën më të madhe të kontinentit, duke testuar kapacitetet e infrastrukturës dhe duke rritur rrezikun për shëndetin publik.
Autoritetet franceze i bëjnë thirrje popullatës të ndjekë këshillat e emergjencave dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme deri në normalizimin e situatës.