Kryeministri francez Manuel Valls njoftoi se zonat e fansave "Fanzone" do të jenë nën masa të rrepta sigurie për Kampionatin Evropian të Futbollit, Euro 2016. Sipas kryeministrit, zonat publike për mijëra fansa futbolli, që ndjekin ndeshjet nga ekranet e mëdha të vendosura kudo, do të jenë subjekt i të njëjta kontrolleve dhe masave të sigurisë, sikurse do të ketë edhe në hyrjet e çdo stadiumi.

"Presim që mbi 7 mijë ose 8 mijë fansa e tifozë të jenë në "Fanzone" përgjatë Kampionatit Evropian të Futbollit. Unë kam biseduar me ministrin e brendshëm Bernard Cazeneuve dhe me të gjithë kryebashkiakët e çdo qyteti ku do të organizohet Euro 2016 për të bërë të mundur implementimin e masave të rrepta të sigurisë në çdo stadium dhe në zonat e fansave. Gjithçka do të kontrollohet edhe aty, çdo çantë e çdo tifoz," – tha kryeministri francez Valls në një intervistë për mediat.

Valls tha se shpreson që ky eveniment futbollistik do të inkurajojë turistët e huaj, që duket se sot kanë frikë të rikthehen në Paris, pas asaj që ndodhi më 13 nëntor. "Shpresoj që turistët, që nuk vijnë në Paris pas sulmeve të 13 nëntorit, të rikthehen sërish me këtë rast, të festojnë, të ndajnë këto çaste, të shohin çdo ndeshje nga këto ekrane të mëdha," – tha ai.