14 nëntor 2015 – Pas ngjarjeve terroriste të mbrëmjes së të premtes në Paris, Policia e Shtetit njoftoi se ka rritur nivelin e gatishmërisë. Në një njoftim të saj, thuhet se është kaluar prej orëve të mesnatës në gatishmëri të përforcuar.

Shërbime shtese policore janë vendosur në objekte që konsiderohen me rrezik, siç janë ambientet publike me frekuentim të lartë, pranë ambasadave apo rezidencave, akset kryesore rrugore etj.

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar për evidentimin dhe për mbikëqyrjen e gjithë elementëve të dyshuar që mund të kenë tendenca për akte terrori.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar po verifikohen me kujdes te veçantë çdo person që hyn në territorin shqiptar apo del prej tij.

Gjithashtu Policia e Shtetit thotë se ka rritur intensitetin e shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë për persona të caktuar që mund të shfaqin tendenca të akteve terroriste.

Policia e Shtetit kërkon gjithashtu bashkëpunimin e qytetarëve dhe i fton ata te mos ngurojnë të telefonojnë për çdo shqetësim apo problematikë, duke i garantuar për reagimin e shpejtë dhe në kohë.

/S.L. portali DurresLajm/