2 korrik 2015 – Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka mobilizuar të gjitha autoritetet e sigurisë, në mënyrë që të shmangin çdo sulm të mundshëm terrorist. Agjencitë e intelegjencës u kanë kërkuar të gjithëve që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për shkak të frikës së ndonjë sulmi të mundshëm nga ana e ISIS-it.

Drejtori i FBI-së, James Comey ka thënë se nuk ka asnjë kërcënim, por sulmet e këtij grupi terrorist janë bërë të paparashikuara.

Sipas tij, gjithmonë ekziston rreziku që këta të shfrytëzojnë data të rëndësishme, si 4 korriku, në mënyrë që të bëjnë sulme me pasoja të mëdha në njerëz, duke qenë se festimet kulmojnë në sheshet kryesore me lëshimin e fishekzjarrëve.

“Këtë vit është shumë ndryshe nga vitet e kaluara. Nëse më parë e kemi pasur një sy te hyrje-daljet, tani ISIS ka gjetur metoda të tjera të rekrutimit të të rinjve. Ata përdorin rrjetet sociale ose mënyra të tjera online, për të bindur dikë që të bëjë një sulm”, është shprehur drejtori i FBI-së.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/