Shkrimtari Albatros Rexhaj komentoi protestën qytetare që po zhvillohet prej 27 ditësh në Tiranë, duke e cilësuar atë si një lëvizje me kërkesa që, sipas tij, mbartin një frymë kundër kapitalizmit.
Gjatë një debati në emisionin Review në Euronews Albania me gazetarin Arbër Hitaj, Rexhaj vuri në pikëpyetje disa nga kërkesat e protestuesve, duke argumentuar se ato nuk janë të zbatueshme në kushtet e një demokracie parlamentare.
“Si bëhet në shekullin XXI qeveri teknike pa e votuar Kuvendi? Në demokraci qeveria duhet të marrë votëbesimin e Kuvendit. Këtu po flasim për një nonsens juridik dhe logjik”, u shpreh ai.
Rexhaj tha se kërkesat dhe artikulimet e protestuesve kanë, sipas tij, karakter marksist dhe janë të orientuara kundër kapitalizmit.
“Kërkesat janë marksiste. Fryma e protestës është kundër kapitalizmit. Kjo është ajo që dëgjohet në artikulimet e protestuesve”, deklaroi ai.
Shkrimtari kritikoi gjithashtu partitë e gjelbra, duke pretenduar se ato sjellin varfëri dhe anarki, ndërsa iu drejtua edhe ish-deputetes Lajla Përnaska, duke e pyetur pse nuk kishte ndërmarrë nisma për ndryshime gjatë kohës kur ishte pjesë e Kuvendit.
“Ke qenë deputete, pse nuk ke luftuar për këto çështje atëherë? Pse të ka ardhur në mendje tani?”, u shpreh Rexhaj gjatë debatit.





