Policia e Tiranës ka ndaluar ditën e sotme Emirjon Llukën, 31 vjeç, punonjës i një firme private sigurimi, pasi akuzohet për korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike.

Gjithashtu po ndiqen në gjendje të lirë shtetasit: E. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist të Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE dhe M. B., 30 vjeçe, banues në Tiranë, me detyrë specialiste të Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ky shtetas, i ka kërkuar dhe marrë një qytetari shumën prej 35.000 leke të reja në këmbim të heqjes së kamatë vonesës në vlerën 120.000 lekë të reja që ai kishte si debi ndaj kompanisë OSHEE.

Materialet proçeduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Ndërkohë po sot ka reaguar zyrtarisht edhe OSHEE, e cila në një deklaratë për shtyp njofton se ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit në procedim penal.

 

Deklarata e OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është njohur me përmbajtjen e kronikës së raportuar mbrëmjen e kaluar në emisionin investigativ “STOP” në televizionin Klan.

Sipas këtij raportimi dyshohet të jetë kryer një veprim i kundraligjshëm nga shtetasi E.V me detyrë, punonjës i sigurisë së një kompanie private, në shërbim të Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë.

OSHEE dëshiron të sqarojë opinionin publik se ka marrë masën e pezullimit të menjëhershëm nga detyra për:

E.V me detyrë, punonjës i sigurisë (nga kompani private) – aktualisht është shoqëruar nga Policia e Shtetit

E.M me detyrë drejtues i Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë

M.B me detyrë specialiste e Kujdesit ndaj Klientit, Kinostudio-Tiranë

Ndërkaq, OSHEE i është drejtuar strukturave ligjzbatuese duke ju kërkuar që të hetojnë dhe zbardhin plotësisht përmbajtjen e kësaj videoje të regjistruar nga emisioni investigativ “STOP”.