Një punonjës i Policisë së Shtetit ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kamëz.

Një automjet që po udhëtonte me shpejtësi të lartë është përplasur me patrullën duke i shkaktuar rrotullim furgonit të Policisë ku gjendeshin tre efektivë.

Një prej tre punonjësve të Komisariatit Nr. 5 në Tiranë, Ervin Haxhiu, 42 vjeç ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Ndërsa të plagosur kanë mbetur Besmir Voi dhe Neil Hoxha.

Furgoni i patrullës së policisë vendore është përlasur nga pas nga një fuoristradë tip “Lexus” me targa  TR 8788T që po lëvizte me shpejtësi të lartë. Si pasojë furgoni i policisë është përmbysur nga goditja dhe ka përplasur një automjet tip BMW që ishte i parkuar anë rrugës.

Drejtuesi që ka shkaktuar aksidentin e ndodhur përballë shkollës “Ibrahim Rrugova” Arnold Kola, 22 vjeç, është shoqëruar në komisariat. Ai drejtonte një autmojet tip “Lexus” me targa TR 8788 T, e cila është përmbysur në rrugë si pasojë e përplasjes së fortë.