Në parashikimin javor të horoskopit sipas Meri Shehut, lëvizja e planetëve do të jetë më e dukshme tek personat e famshëm ose të pushtetshëm.

Energjia dhe vrulli do të jenë karakteristike sepse ngjarjet më të rëndësishme ndodhin në shenjën e Dashit.

Sipas vlerësimit me yje për shenjat në “Rudina” në Tv Klan, Ujori është shenja që merr shkëlqimin më të madh.

Meri Shehu: Kjo do jetë një javë shumë interesante sepse kësaj jave kemi një eklips të fuqishëm diellor, i cili përkon me Hënën e re në shenjën e Dashit.

Sa herë kemi eklipse, sidomos diellore, ndodhin ngjarje të rëndësishme në lidhje me jetën personale qoftë të njerëzve të thjeshtë, qoftë të atyre që kanë emër, famë, pushtet ose që vendosin mbi fatet e planetit, pra ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme por edhe iniciativa sepse jemi në shenjën e Dashit.

Duke u futur në shenjën e Dashit fillon të marrë më shumë përparësi energjia, dhënia e saj, veprimi, instinkti, erotizmi jashtë mase dhe besoj që kjo javë do na japë pak nga këto të gjitha, por edhe dëshirën për të bërë të mira për të qenë njerëz korrektë e të admirueshëm.

Dashi – 2 yje

Eklipsi diellor shumë i fuqishëm do të thotë se megjithëse Hëna e re është në shenjën e tyre ka disa përballje të cilat do të vijnë duke u lehtësuar por gjithmonë ka forca shumë të mëdha dhe Dashët shpeshherë nuk i menaxhojnë dot. Kur nuk i menaxhojnë dot bëhen më të furishëm, të vrullshëm dhe të papërmbajtur. Këto dy yje i marrin vetëm nëse janë të papërmbajtur në dëshirat e tyre, do kenë dëshirë të kenë shumë lekë, të bëjnë shumë gjëra dhe nëse nuk i bëjnë këto të gjitha mund të nxitojnë, të bëjnë gabime dhe të prishin disa ekuilibra që mezi i kanë vendosur javën e kaluar. Duhet të menaxhojnë emocionet dhe energjinë e tyre.

Demi – 4 yje

Këtë javë do dalin nga një periudhë e bllokuar dhe ndoshta shpirtërisht do çelen. Do marrin një energji të brendshme dhe çështjet e punës e të shëndetit do fillojnë të qetësohen për ata që kanë pasur problematika. Vetëm nëse kanë një marrëdhënie të vështirë, me një prind ose të afërm që është figurë mashkullore shumë e dashur për ta, këtë duhet ta kenë kujdes, ta trajtojnë si duhet dhe nuk duhet të marrin vendime pa i pyetur ose ekuilibruar mirë marrëdhëniet me të.

Binjakët – 2 yje

Eklipsi diellor mund të djegë disa nga pasionet e qëllimet e tyre, disa mund të keqkuptohen në rrethin social ose mund të kemi disa skandale që duhet t’i ruajmë me kujdes për të mos i djegur nga dëshira për të rrezatuar më shumë.

Gaforrja – 3 yje

Kanë një periudhë të fuqishme sa i përket karrierës dhe jetës personale. Njerëzit në shenjën e Gaforres dhe me pushtet mund të fitojnë më shumë reputacion por edhe të kenë një pikë shumë delikate në punën e tyre sepse eklipsi diellor është në epiqendrën e shenjës së tyre. Kjo do të thotë se mund të digjen njëherë e mirë ose të shkëlqejë një epokë e artë për shumë Gaforre. Varet si do përdorin figurën, jetën dhe energjinë e tyre në këtë periudhë, si do menaxhojnë këtë moment sepse mund të ndodhë edhe një qark i shkurtër dhe të hidhet në erë çdo gjë që kanë arritur deri më tani.

Luani – 2 yje

Parapërgatiten për një periudhë shumë të fuqishme dhe rezervat e energjisë duhet t’i kenë në konsideratë. Nuk duhet të harxhojnë energji, nuk duhet të bëhen të mbyllur, dy yjet janë për mirë sepse duhet ta përqendrojnë energjinë, ta studiojnë mirë situatën, të bëhen më strategjikë që të arrijnë pastaj gjatë rrugës së mëtejshme, në fund Prilli dhe Maji të kenë një shkëlqim të dukshëm dhe sukses. Mos të kenë tërmetin e marrëdhënieve nga fuqia e madhe për të rrezatuar.

Virgjëresha – 3 yje

Do merren shumë me çështjet ekonomike, mund të marrin një pasuri ose premtim të madh ekonomik nga të tjerët, mund të investohet fuqishëm, mund të marrin para të cilat nuk i kanë marrë kurrë në jetën e tyre por edhe të fillojnë të mendojnë si t’i menaxhojnë me një bamirësi. Flasim për rezerva të mëdha ekonomike e ushqimore që duhet të shikojnë si t’i menaxhojnë dhe projektojnë për më mirë. Në jetën personale një dëshirë e tyre mund të mos plotësohet ashtu siç duhet por do të shkojë mirë.

Peshorja – 2 yje

Hëna e re dhe eklipsi diellor ndodh përballë shenjës së tyre. Ndodh një ngjarje e madhe në bashkëpunimet, martesën dhe shëndetin e tyre ndaj duhet të menaxhojnë mirë energjitë, kundërshtarët, antagonizmin ose çfarë kërkojnë nga të tjerët. Ndoshta nuk është momenti të bashkëpunojnë me njerëzit më të fuqishëm të mundshëm ose me njerëzit që vërtet mund të kenë një figurë rrezatuese por që nuk dihet se sa do vazhdojnë këtë rrezatim të tyrin. Janë në një pikëpyetje ekuilibri të madh.

Akrepi – 3 yje

Shumë planetë me eklips diellor në Dash, Hëna e re në Dash tregojnë një jetë intensive të së përditshmes. Do kenë shumë punë, energji, iniciativa,kontakte, shpenzim energjish dhe nuk do rrinë ulur edhe pse janë dembelë në lidhje me lëvizjen sepse më shumë ndiejnë dhe kërkojnë. Kjo periudhë do i vërë në lëvizje dhe shumë lajme të mira për punën e shëndetin.

Shigjetari – 2 yje

Do lënë prapa një dashuri të madhe, një marrëdhënie të fuqishme ose një bashkëpunim krijues dhe do hyjnë në një jetë të re. Jeta e mëparshme nuk do ekzistojë më për Shigjetarët dhe çfarë kanë kaluar nuk i dihet por as ajo që vjen. Do kenë një fillim të ri të papritur që nuk varet prej tyre por nga forca universale dhe shumë Shigjetarë do përjetojnë një dimension të ri në jetën e tyre erotike dhe në punë.

Bricjapi – 4 yje

Janë shumë të interesuar për jetën e tyre, kanë pasur një dypunësim dhe marrëdhënie të mira me punën. Nëse do i shtroheshin punës mund të krijonin shumë gjëra të mira dhe do vlerësoheshin jashtë mase, shëndeti mirë, promovimet do ecin shumë mirë. Eklipsi diellor në Dash i bën të merren me shtëpinë, njerëzit e afërm dhe një figurë të babait ose të nënës, por një figurë burrërore në shtëpi që do iu japë mbështetje dhe duhet të jenë të kujdessshëm lidhur me të. Ata që merren me politikë do kenë hapa të rëndësishëm në këtë periudhë.

Ujori – 5 yje

Gjithë energjinë dhe elektricitetin e eklipsit diellor do ta marrin Ujorët. Dihet që janë një shenjë elektrike, energjike kështu që gjithë kjo energji e Dashit do funksionojë shumë mirë për ta dhe nëse do dinë ta përdorin, do kenë nivelin e duhur për ta menaxhuar si duhet këtë energji do ndriçojnë gjithë qytetin, në mënyrë figurative.

Peshqit – 3 yje

Do merren shumë me ekonominë, një çështje e madhe mund të digjet por do hapet një tjetër e re dhe nuk duhet të mërziten. Këtu kemi atë që ku është fundi është edhe fillimi, diçka e rëndësishme ndalon në çështjet ekonomike ose çfarë duan të marrin në jetën erotike por fillon diçka e re dhe cikli fillon nga e para, por shpresojmë në një nivel më të mirë dhe dominant.