Humbja e rëndë e një jave më parë e Teutës në Gjirokastër 4-1, nuk është përtypur lehtë nga presidenti i ekipit. Siç është deklaruar edhe në media, pakënaqësitë për punë e trajnerit Lika zënë vend që në sezonin e kaluar, veçanërisht në përfaqësimet europiane. Menjëherë pas ndeshjes presidenti i Teutës i ka kërkuar Likës të japë dorëheqjen, që nuk është pranuar nga ky i fundit.

Të hënën e 3 shtatorit teknikut Lika i është komunikuar shkarkimi nga detyra. Në vend të tij u mendua fillimisht të ofroheshin pranë ekipit Starova apo Magani, por që të dy janë të impenjuar me ekipet e Kukësit dhe Shkumbinit. Atëhere si alternativë mbeti një trajner vendas.

Ai tashmë është vendosur. Quhet Gentjan Begeja. Është kampion si futbollist me Teutën e vitit 1994 dhe nën drejtimin e tij Teuta e të rinjve fitoi trofeun vitin e kaluar me 19-të vjeçarët. Zëvëndëstrajner është Oert Kote.

Menjëherë pas fillimit të punës, Begeja është deklaruar për një Teutë ambicioze ku objektivat mbeten të mëparshmet: të fitojë të dy trofetë, kupën dhe kampionatin. Prova më e mirë pritet të jepet të premten, në orën 19.00 ku Teuta do të përballet me ekipin e Tiranës.