Sir Alex Ferguson është ende në gjendje kritike për jetën, 12 orë pas operacionit të kryer në tru, për shkak të një hemoragjie celebrale që ka patur mbrëmjen e 5 majit.

Trajneri legjendar i Manchester United, tashmë 76 vjeç, ndodhet ende në spital nën mbikqyrjen e mjekëve, ndërkohë që e gjithë bota e futbollit lutet e shpreson për rikuperimin e tij.

Edhe pse ende nuk ka dalë një bulletin mjekësor në lidhje me gjendjen e Ferguson, mediat britanike konfirmojnë se situata nuk është e mirë, por mjekët po bëjnë të pamundur për ta shëruar.

“The Sun” shprehet se familjarët e trajnerit janë të shqetësuar për gjendjen dhe lutet që Sir Alex të kalojë këtë problem, ndërkohë që kërkojnë edhe ruajtjen e privatësisë dhe evitimin e deklaratave të gabuara në lidhje me gjendjen e ikonës së futbollit britanik.

Mediat britanike konfirmojnë që Ferguson ndodhet në sallën e reanimacionit në terapi intensive, ndërkohë që operacioni ka shkuar mirë, por trajneri ka nevojë për një periudhë të pacaktuar kurimi. Urimet për një shërim të shpejtë nuk kanë munguar për këtë ikonë të futbollit botëror.

Ferguson u largua nga detyra e trajnerit të Manchester United në vitin 2013, pas 26 vitesh në drejtimin e “djajve të kuq”, ku fitoi 13 tituj kampionë, 5 Kupa të Anglisë, 4 Kupa të Ligës, 2 Champions League, 1 Kupa të Kupave, 1 Botëror për skuadra, 1 Superkupë të Europës, 1 Kupë Interkontinentale dhe 10 Commynity Shield.

Ndërkohë që, Sir Alex ka fituar edhe 3 kampionate në Skoci, 4 Kupa të Skocisë dhe një Kupë të Ligës në vendlindjen e tij.Trajneri pati probleme shëndetësore teksa ndodhej në shtëpinë e tij në Wilmslow dhe më pas u transportua me urgjencë në spital me autoambulancë.

Ai u transferua nën shoqërimin e forcave të policisë në spitalin e “Salford Ruyal Hospital”, ku dhe ndodhet nën mbikqyrjen e mjekëve dhe kujdesin e familjarëve.