NAPOLI  – I sapombërritur këtë sezon në skuadrën e Napolit, mbrëmjen e djeshme Valon Behramit i është vjedhur ora e dorës nën kërcënimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20 e 30 minuta në lagjen Chiaia, në qendër të Napolit. 

Behrami ishte duke parkuar veturën e tij dhe ndërsa dilte prej saj, i janë afruar me motoçikletë dy persona me kaska në kokë dhe të armatosur. Ata i kanë drejtuar pistoletën në kokë, duke i kërkuar t’iu dorëzonte orën e dorës të një marke goxha të shtrenjtë. Behrami është bindur dhe iu ka dhënë orën, kurse plaçkitësit e armatosur janë larguar në drejtim të lagjes Fuorigrotta, transmeton BW. 

Futbollisti kosovar, pa hezituar ka shkuar në komisariatin Sanferdinando, ku e ka denoncuar menjëherë grabitjen e pësuar. 

Gjatë muajve të kaluar, ngjarje të tilla u kanë ndodhur edhe grave të lojtarëve Pocho Lavezzi dhe Marek Hamshik, si edhe sulmuesit Edinson Cavani dhe mbrojtësit Salvatore Aronica.