TURQI, 23 shkurt 2013 – Futbollisti i njohur turk, Hakan Shukur aktualisht deputet në parlamentin turk duke iu përgjigjur sot një pyetjeje për çështjen kurde në Turqi deklaroi: “Unë jam shqiptarë, nuk jam turk. Nëse e shikoni nga ky prizëm atëherë edhe këndvështrimi i im është më ndryshe. Unë jam ushqyer nga kjo tokë. Ne këtu përjetuam ndarje të shumta dhe kjo u reflektua edhe me veçoritë etnike, për këto çështje shteti duhet të angazhohet dhe ne këtë si parti në pozitë po bëjmë tani. Krejt kjo për tërësinë dhe mirëqenien e vendit tonë, duke potencuar rëndësinë që ka kontributi i të gjithëve në ndërtimin e shtetit turk”, tha Shukur.  

Sipas Almakos, Shukur përmendi edhe sfidat e të kaluarës kur diferencimet në bazë të gjuhës, besimit, vendit të origjinës ishin shumë të theksuara, kur çdokush ishte në kërkim të drejtave të veta. Mirëpo, Shukur u shpreh se sot si shtet, Turqia, i kushton rëndësi këtyre çështjeve.

Këto deklarata, Hakan Shukur, i bëri në një debat që kishte në universitetin Mehmet AKif Ersoy me studentet në qytetin Burdur të Turqisë.

Deklarata e Hakan Shukur se ai është me origjinë shqiptare ka bërë që mediat të “kryqëzojnë” ish-sulmuesin e njohur të kombëtares turke.

Në mbrojtje të Shukur ka dalë Kryeministri i Turqisë, Reçep Taip Erdogan. I pyetur mbi deklaratën e deputetit të Partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim, Erdogan ka thënë se Shukur është shqiptar po ai ka kontribuar për Turqinë dhe meriton respekt dhe mirënjohje.

“Deputeti, miku im Hakan Shukur mbajti një leksion në Universitetin Mehmet Akif ku tha se nuk jam më origjinë nga Turqia, por jam shqiptar. Unë them se edhe Mehmet Akifi është shqiptar. Akifi shkroi himnin tonë por ai nuk ishte avokat i Shqipërisë”,- tha Erdogan.