Protesta e 22-tëe është shoqëruar me tensione. Raportohet se gazetari Osman Stafa është konfliktuar në protestë me 2 persona të tjerë. Siç njofton policia ngjarja ka ndodhur pranë sheshit “Skënderbej”, ku gazetari Stafa është fyer dhe gërvishtur nga dy persona me iniciale  Z. N. dhe M. P.

Persona të tjerë kanë ndërhyrë për të shmangur përplasjen dhe kanë njoftuar policinë e cila shoqëroi një burrë dhe një grua, ndërsa gazetari ka bërë denoncimin në komisariatin nr.3.

Njoftimi i policisë:

Më datë 21.06.2026, rreth orës 22:00, pranë sheshit “Skënderbej”, është njoftuar Policia për një konflikt ndërmjet disa shtetasve.

Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar në Komisariat personat e përfshirë.

Konkretisht, shtetasin O. S., gazetar, i cili ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga shtetasit Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.

Nga ana tjetër, shtetasit Z. N. dhe M. P. kanë deklaruar se konflikti ka nisur pas një debati verbal me shtetasin O. S., pasi ky i fundit u ka kërkuar llogari lidhur me mospraninë e tyre në tubimin e zhvilluar në qytet.

Në lidhje me këtë rast po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Reagimi

Osman Stafa: Ishim në shoqërinë e 2 gazetarëve të huaj, një italian dhe një polake, po marshonim për të kapur turmën. 2 persona na kanë prerë rrugën duke ofenduar si dhe më kanë lënduar lehtë fizikisht, duke më cilësuar si një person që punën time nuk e bëj mirë. Nuk kam reaguar ndaj këtij provokimi.

Ishin 2 persona që ishin të shqetësuar për raportimet dhe mbështetjen që i kam dhënë protestës. E dinin që isha gazetar dhe erdhën duke më çjerrë me thonj.

Nuk jam shoqëruar por kam ardhur në policinë e shtetit për të kallëzuar 2 personat. Ishte sulm i mirëfilltë ndaj detyrës time si gazetar.