· Mangësitë, për të cilat vendasit ndoshta ende nuk janë të vetëdijshëm, i kompensojnë me gatishmëri dhe buzëqeshje dashamirëse. Ndaj turistëve personeli i hotelit, kamerierët dhe madje edhe shitësit e plazhit sillen me respekt të veçantë. Harrojeni ankesat e italianëve, turqit e sigurt në vetvete, tunizianët e bezdisshëm. Në Shqipëri askush nuk ju detyron për asgjë me forcë, vendasit nuk duan të trembin turistët

7 shtator 2015 –  Gazetarja sllovake Lenka Shtepanekova (Štepáneková) ka botuar, të dielën, më 6 shtator 2015, një reportazh interesant (Shqiptarët mësojnë se si të merren me turizmin) në portalin e famshëm “sme.sk”. Shtepanekova ka pushuar me një grup turistësh bashkatdhetarë në atë që ajo e quan “riviera e Durrësit. Sipas saj, “krahas Kepit të Gjelbër Shqipëria ka dërguar oferta për agjencitë turistike sllovake vetëm kohët e fundit. Ndërsa Afrika ekzotike tërheq turistë më të pasur në rezortet me shumë yje, bregdeti ranor shqiptar është një nga alternativat më të përballueshme”. Shkrimi është dashamirës edhe kur has mangësi, për të cilat kolegët e saj shqiptarë do të përdornin një artileri të rëndë me sharje dhe ankesa. Turistja gazetare thotë: “nuk na befasojnë mungesa e një gote uji në dhoma, gjysmë-pensionet e varfra dhe madje edhe disa njolla mushkonjash të vrara në mure. Fakti se të mërkurën në hotel bëhet pastrim i përgjithshëm dhe për këtë arsye u hoqën nga të gjitha dhomat peshqirët tërë paraditen, ne buzëqeshëm dhe dolëm në ballkon për t’u tharë. Gjithsesi, nuk besoj se pushuesve këto detaje u kanë prishur përshtypjen e përgjithshme”. Madje sllovakja u bën një mbrojtje të shkëlqyer shqiptarëve: “Mangësitë, për të cilat vendasit ndoshta ende nuk janë të vetëdijshëm, i kompensojnë me gatishmëri dhe buzëqeshje dashamirëse. Ndaj turistëve personeli i hotelit, kamerierët dhe madje edhe shitësit e plazhit sillen me respekt të veçantë. Harrojeni ankesat e italianëve, turqit e sigurt në vetvete, tunizianët e bezdisshëm. Në Shqipëri askush nuk ju detyron për asgjë me forcë, vendasit nuk duan të trembin turistët”. Megjithatë ajo nuk harron t’u kujtojë bashkatdhetarëve të  kenë kujdes më biçikletat e ujit pasi nuk ka roja jete, vetëm një kullë vrojtimi në të gjithë bregdetin. Megjithatë i ka pëlqyer konjaku “Skënderbeg” dhe reçeli i fikut. Gjëja më e rëndësishme është konstatimi i sigurisë së jetës në Durrës: “Nuk ka vend për frikë, rezortet bregdetare në rivierën e Durrësit edhe më në veri, Shëngjin, nuk janë më të rrezikshme për turistët se Mali i Zi fqinj apo Italia pranë”. “DurresLajm” po boton të plotë reportazhin, shoqëruar me fotot e bëra nga autorja.

DURRES. Në Shqipëri? Nuk paskeni frikë? Ky ishte reagimi i të njohurve që mësuan për destinacionin tonë të pushimeve këtë vit.

Nuk ka vend për frikë, rezortet bregdetare në rivierën e Durrësit edhe më në veri, Shëngjin, nuk janë më të rrezikshme për turistët se Mali i Zi fqinj apo Italia pranë.

Në kontrast me destinacionet popullore këtu, megjithatë, edhe gjatë sezonit të lartë nuk e vrisni mendjen se si të hyni në det.

Plazhet ranore të gjera me gjatësi mbi tridhjetë kilometra që shtrihen nga qyteti i lashtë i Durrësit më në jug, u bënë për tetë ditë shtëpia jonë e përkohshme. Gjatë kësaj kohe për asnjë moment nuk u shqetësuam për pronën tonë apo edhe jetën.

Ndaj Shqipërisë duhet një mendje e hapur dhe të pranojmë faktin se një vend, i cili deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha, sundohej nga një diktator paranojak, ka ende për të mësuar për akomodimin e turistëve.

BREGDET BRESHKASH

Shqiptarët, ashtu si shumica e popujve ballkanas, kanë një ritëm të ndryshëm të jetës nga ai i popujve të Evropës Qendrore. Të tjera janë zakonet, traditat, shprehitë higjienike, masat e sigurisë, rregullat, kufizimet dhe etika. Turistët me përvojë e dinë se nuk janë njëlloj një hotel me katër yje në Ballkan dhe një i tillë në Paris.

Prandaj nuk na befasojnë mungesa e një gote uji në dhoma, gjysmë-pensionet e varfra dhe madje edhe disa njolla mushkonjash të vrara në mure.

Fakti se të mërkurën në hotel bëhet pastrim i përgjithshëm dhe për këtë arsye u hoqën nga të gjitha dhomat peshqirët tërë paraditen, ne buzëqeshëm dhe dolëm në ballkon për t’u tharë.

Gjithsesi, nuk besoj se pushuesve këto detaje u kanë prishur përshtypjen e përgjithshme.

Megjithatë, duke marrë parasysh se edhe njëzet vjet më parë ne në të gjithë rivierën e Durrësit hotelet numëroheshin me gishtat e dorës dhe se plazhi ishte vend vetëm për turistët dhe breshkat e detit, Shqipëria ka bërë hap të madh përpara.

Voluntarizmi ballkanas, ndërkohë, pasqyrohet në arkitekturë, ku shtëpitë dhe hotelet kanë gjithfarë lartësish, formash dhe ngjyrash, rreth e rrotull ka tuba dhe mund të ndodhë që gjatë një ditë të kthjelltë mund bësh dush papritur me ujin e kondensuar nga kondicionerët.

Duke gjykuar nga numri i lartë pallateve në ndërtim e sipër, bumit të ndërtimeve nuk po i duket fundi, në shumë apartamente tashmë si me krenari vezullojnë pusullat SHITET [shqip në origjinal].

THJESHT MOS KINI FRIKË PREJ TYRE…

Mangësitë, për të cilat vendasit ndoshta ende nuk janë të vetëdijshëm, i kompensojnë me gatishmëri dhe buzëqeshje dashamirëse. Ndaj turistëve personeli i hotelit, kamerierët dhe madje edhe shitësit e plazhit sillen me respekt të veçantë.

Harrojeni ankesat e italianëve, turqit e sigurt në vetvete, tunizianët e bezdisshëm. Në Shqipëri askush nuk ju detyron për asgjë me forcë, vendasit nuk duan të trembin turistët.

Ditën në plazh ju rrethojnë dhjetëra burra dhe gra, të cilët ofrojnë fiq të freskët, rrush, nektarina, banane, kikirikë, luledielli, misra të pjekur, krem kundër diellit, kanaçe me pije, cigare, revista, syze dielli, rroba banje, shalle, kravata dhe një milion gjëra të tjera.

Për llojin e mallrave që njihen nga turistët përsëriten vazhdimisht  emrave në shqip, anglisht nuk di pothuajse askush. Në fund të javës tashmë do të jetë e qartë se në shqip  kikirikë  janë arašidy  [sllovakisht] dhe  birra  nuk është përveçse  pivo [sllovakisht].

Nëse vendosni të bëni pazar, kontaktoni me sy dhe udhëzoni shitësin për të vazhduar. Tregoni mallrat dhe sasinë me gishta.

Çmimi do ta mësoni ose nga shitësi duke e shkruar në rërë, ose direkt ju tregon monedhat që duhet të jepni.

Një kilogram fiq nga më të mirë që keni ngrënë ndonjëherë, i blini nga gjyshet vendase për 150 lekë, rreth 1,10 euro.

IDEAL PËR PUSHIME

Nëse keni ardhur në Shqipëri për të pushuar dhe çlodhur buzë detit, ky destinacion është bërë për ju. Shezlongë dhe çadra përgjatë hotelit kushtojnë lirë për mysafirët, pa pagesë janë gjithashtu shezlongët bri pishinës. Pesë-shtatë euro në ditë.

Në fund të muajit gusht deti Adriatik ka ngrohtësi të këndshme edhe larg bregut, ku rëra nën shputat e e pushuesve është e pastër si kristal. Hyrja në det në plazhe është e lehtë, prandaj nuk duhet të frikësohen familjet me fëmijë të vegjël ose me aftësi të kufizuara.

Ndryshe nga disa zona të Egjiptit, gjithsesi, s’ka pse ecni disa qindra metra nëpër port që të mund të notoni në ujë të thellë.

Po patët frikë se mos bini në ndonjë falëz [vrimë, hon në det], merrni me qira për 400 lekë (më pak se 3 euro) ora një biçikletë uji. Është qejf të pedalosh mbi valë, por ju porositim që për notim më të mirë, duhet të mbani xhaketë shpëtimi në mënyrë që shqiptarët të mos t’ju thyejnë kokën dhe harroni rojat e jetës (lifegurad) në kulla vrojtimi. Në disa kilometra plazh pamë me sytë tanë vetëm një kullë vrojtimi pa roja jete.

Po kështu, noti në pishinën e hotelit është në përgjegjësinë tuaj. Sa më e madhe, aq më shumë zbaviten fëmijët, pasi asnjë prej tyre nuk del nga rrethimi i pishinës.

Të kridhesh në pishinë është mirë, por mos bëni gara noti. Sepse në çdo moment jeni ka rrezik që para hundës, ose direkt në kokë për fat të mirë mund t’u bien fistikë me origjinë sllovake, çeke, ruse, polake dhe ndoshta çikërrima italiane. Pasi nga këta popuj janë shumica e turistëve në bregdetin shqiptar.  

KONJAK DHE REÇEL FIKU

Ashtu siç ka Sllovakia Juraj Janoshik-un [1688-1713], edhe Shqipëria ka heroin e vet kombëtar. Veçse ka një dallim, i pari ishte komit, i cili grabiste të pasurit dhe u jepte të varfërve, i dyti u shqua në luftë kundër turqve. Bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin, cili njihet më së tepërmi me emrin Skënderbeu.

Shqiptarët kanë si shenjë dalluese të tyre një shqiponjë të zezë dykrenore në sfond të kuq, tani simbol kombëtar i vendit.

Emrin e tij [të Skënderbeut] mban konjaku më i famshëm shqiptar, që prodhohet në një kantinë në Durrës. Për prodhimin e tij [e konjakut] përdoren metoda tradicionale dhe vetëm rrush i bardhë nga vreshtat vendase.

Pikërisht ekskursioni në kantinën e pijeve alkoolike është udhëtim fakultativ i agjencive turistike çeke dhe sllovake. Prodhimi masiv ka shumëllojshmëri mallrash, linja të automatizuara dhe makineri të drejtuara me lazer, konfrontim i këndshëm me realitetin shqiptar

Linja e mbushjes është vetëm disa metra, shishe janë larë në makinë, tri gra që janë të mbërthyer në ritmin e ngadaltë të mbushjes së shisheve.

Pjesa më interesante e ekskursionit për shumicën e turistëve është degustimi i prodhimeve vendase dhe më vonë blerja në dyqanin e kompanisë. Shtatë shishe konjak “Bato”, ku një vulë është zhdukur, e blini për rreth gjashtë euro.

Suvenir tradicional për jo-alkoolistët  është reçeli shqiptar i fikut. Ka në çdo minimarket dhe ndryshe nga shumë dyqane me prodhime frutash në Sllovaki,  [reçeli shqiptar i fikut] përmban vetëm fiq, sheqer dhe ujë.

Asnjë shtesë artificiale për shije ose konservues, prandaj duhet konsumuar në një afat të shkurtër. Fiku është i ëmbël dhe me shije të vërtetë, por ndoshta nuk duhet mbajtur hapur për një kohë të gjatë.

* Titulli në origjinal: Shqiptarët mësojnë se si të merren me turizmin (http://trnava.sme.sk/c/7993066/albanci-ucia-ako-si-poradit-sturizmom.html)

/përkth. th. m. portali “DurresLajm”/