Ish-deputeti i Durrësit, Gazmend Oketa, ka rrëmbyer vëmendjen mediatike dy ditët e fundit me rikthimin e tij në PD dhe përfshirjen në garën për Këshillin Kombëtar të kësaj partie. Rikthimi i tij në partinë ku ka aderuar për shumë vite, ku ka mbajtur poste të rëndësishme dhe nga e cila u largua kur ishte ende në pushtet për t’iu bashkuar Frymës së Re Demokratike të Bamir Topit ka ngjallur jo pak aludime për arsyet të cilat e shtynë t’i bashkohet sërish PD-së.
Në një intervistë për DurrësLajm, Oketa shprehet se shtysa e parë për t’u rikthyer tek partia ku u formua si politikan është pikë së pari gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi dhe protesta e studentëve, për të cilën thotë se nëse nuk do mbante veshur kostumin e politikanit, do t’i ishte bashkuar çdo ditë si qytetar i thjeshtë, për t’u shprehur mbështetjen e tij.
Ndërsa emri i tij ka nisur të lakohet se mund të jetë kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, Oketa thotë për DurrësLajm se është shumë herët për të folur për një çështje të tillë, për më tepër që rikthimin nuk e sheh si një mundësi për të pretenduar poste.
Përse u rikthyet në Partinë Demokratike?
Arsyet janë të shumta. Është vetë situata jo vetëm politike, por më së shumti ajo ekonomike, situata në shëndetësi, në arsim e cila do të bënte çdo qytetar normal të këtij vendi të revoltohej. Në rastin tim, për kostumin politik që dua apo s’dua unë e kam të veshur është e pamundur që të dal krah studentëve, pavarësisht se unë do doja shumë të isha në pozitën e një qytetari të thjeshtë e të qëndroja pranë tyre çdo ditë. I kam dhënë një mbështetje morale protestës së studentëve, jam përpjekur në çdo ambient të shpreh opinionin tim. Nëse më parë nuk do të isha angazhuar në politikë, ju siguroj që çdo ditë do më shihnit në krah të studentëve, të artistëve, kur ata protestonin për teatrin apo në krah të banorëve të Unazës së re, jo vetëm për t’i mbështetur në protestën e tyre, por edhe në shenjë proteste kundër një mega vjedhjeje që po ndodh në atë projekt.
E vetmja zgjidhje që mbetet për të dhënë kontribut politik mbetet zgjidhja politike. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam pasur, por kohët e fundit janë intensifikuar kontaktet me shumë miq e dashamirës, pjesë e PD, të cilët më kanë parashtruar mendimet dhe arsyet se pse unë duhet të rikthehesha në PD.
Ka ardhur si një proces normal, i konsultuar edhe me miq e dashamirës jashtë politikës, dhe do të përpiqem të jap kontributin tim modest, që të gjithë së bashku të çojmë në rrjedhën e duhur gjërat në këtë vend.
A besoni tek zoti Basha?
Nuk bëhet fjalë për një raport personal mes meje dhe z.Basha. Unë nuk besoj as tek raporti im me z. Basha as tek ai i z.Basha me Gazmend Oketën. Unë jam rikthyer me shpresën dhe besimin siç e kam parë gjithnjë politikën, si një lojë skuadre, si një lojë me rregulla e principe për të bërë më të mirën në këtë situate të vështirë.
A mendoni se po përdoreni për imazh në këtë moment?
Nëse do të mendoja se bëhet fjalë për një proces emrash nuk do të rikthehesha.
A do të kandidoni ju si kryetar bashkie në Durrës?
Është shumë herët për të dhënë deklarime të tilla. Ky është një lajm që më shumë e qarkullon media, sesa e qarkulloj unë apo strukturat e grupimeve të ndryshme politike. Unë nuk po rikthehem në politikë për të pretenduar poste. U largova kur PD ishte në pushtet, rikthehem në një moment që gjykoj se jo vetëm PD-ja, por e djathta në tërësi, qytetarët shqiptarë, kanë nevojë për mbështetje politike.





